Objektivi madhor i Skënderbeut u arrit dhe tashmë drejtuesit po punojnë që të përforcojnë edhe më shumë skuadrën. Prezenca në fazën e grupeve të Ligës së Europës kërkon një kontingjent të kompletuar për të përballuar si duhet sezonin 2017-2018. Falë eksperiencës së fituar dy vite më parë, në Korçë i kanë idetë e qarta.
20992725_1449417975095919_2202663859904502520_n-470x312
Me merkaton që është futur në katër ditët e fundit të saj, te Skënderbeu janë aktivë për të afruar lojtarë të tjerë, me qëllim që grupi të jetë i plotë për të përballuar të tria kompeticionet: Kategorinë Superiore, Kupën e Shqipërisë dhe Ligën e Europës.

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, presidenti i Skënderbeut Ardjan Takaj, zbuloi se klubi do të bëjë edhe tri goditje deri në fund të merkatos. “Jemi në ditët e fundit të merkatos, por asgjë nuk është mbyllur te Skënderbeu. Do të jemi të angazhuar deri kur të mbyllet afati zyrtar i transferimeve.
20994247_1449783818392668_2068697060019944834_n-470x313
Pas kualifikimit në grupet e Ligës së Europës, kemi filluar të mendojmë seriozisht për të forcuar më tepër skuadrën. Do të jenë edhe të paktën tre afrime të tjera në ekip. Kjo, për vetë faktin se skuadra duhet të jetë e kompletuar me shumë elementë për të përballuar me sukses tre kompeticionet e këtij sezoni.

Normalisht është një rrugëtim i gjatë, por ne nuk e kemi për herë të parë. Jemi mësuar me ngarkesë dhe besoj se do të funksionojmë po aq mirë, siç kemi funksionuar edhe para dy vitesh, sidomos në kampionat. Objektivi ynë primar është të fitojmë titullin kampion në sezonin e ri”, theksoi fillimisht Takaj.

“SAHITI DO TË ZËVENDËSOJË LATIFIN”

Suad Sahiti është zyrtarisht lojtar i Skënderbeut. Mesfushori me tipare sulmuese ka arritur marrëveshjen me korçarët dhe të hënën do të prezantohet. Këtë e konfirmoi vetë presidenti Takaj, i cili nga ana tjetër, sqaroi edhe zërat për afrimin e mundshëm të Dejvi Bregut dhe Kristal Abazajt nga Luftëtari, si dhe sulmuesit të Shkëndijës së Tetovës, Besart Ibraimi. “Për sa i përket zëvendësuesit të Latifit, kemi mbyllur gjithçka me Suad Sahitin.
Suad-Sahiti-gatii-470x243
Mesfushori do të vijë të hënën në Korçë për t’u bashkuar me ekipin në seancën e parë stërvitore”, ka bërë të ditur Takaj në lidhje me 22-vjeçarin, i cili në tri vitet e fundit ka qenë pjesë e Rabotniçkit në Maqedoni. “Jemi në bisedime me disa lojtarë, por aktualisht ende nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje që të mund ta zyrtarizojmë.

Për Bregun dhe Abazajn, ndryshe nga sa flitet, ju konfirmoj se nuk kemi bërë ofertë te Luftëtari. Ndërsa për sa i përket Ibraimit, mund të them që është një sulmues mjaft cilësor dhe mbi të gjitha, nën kontratë me Shkëndijën. Ne kemi marrëdhënie të mira me klubin tetovar dhe nuk mund të hyjmë në bisedime me një lojtar, i cili është nën kontratë.
19961293_1482152101807341_2835204848300691201_n-470x313
Nëse Shkëndija ka një plan tjetër për atë futbollist, normale që edhe ne do të paraqesim ofertën tonë. Për momentin nuk dua të them asgjë më shumë, pasi jemi duke mbyllur tre afrime të tjera. Sapo të kemi gjetur akordin me lojtarët, do të publikojmë emrat”, deklaroi kreu i klubit.

“DOJA MILANIN, POR KËSHTU KEMI SHANSE”

Numri një i klubit bardhekuq u ndal më pas gjerësisht edhe te Liga e Europës dhe faza e grupeve të kompeticionit, që është një arritje historike për korçarët. Takaj bëri me dije se është i kënaqur nga shorti, pavarësisht se dëshira ishte që të përballej me Milanin. “Liga e Europës është një arritje e madhe për futbollin tonë, jo vetëm për Skënderbeun.
takaj-470x266
Ne jemi të vetëdijshëm se ky kompeticion është mjaft i fortë. Normalisht donim të përballeshim me Milanin, por edhe grupi ku jemi pozicionuar tani është mjaft i fortë dhe shumë tërheqës. Ambiciet tona janë të mëdha, por do të marrim gjithçka me radhë, duke ecur me këmbë në tokë dhe duke u munduar të lëmë shenjë në këtë grup.

Nuk e përjashtoj mundësinë që të kualifikohemi, por gjithçka do të bëhet me radhë. Objektivin më të madh ne e kemi arritur tashmë, kështu që ekipi nuk e ka atë presion”, u shpreh presidenti bardhekuq.

“BEOGRADI? NUK KEMI FRIKË TË LUAJMË”

Takaj foli edhe për përballjen me Partizanin e Beogradit, duke lënë pas çështjet politike dhe atë që ka ndodhur tre vite më parë në ndeshjen Serbi-Shqipëri. “Beogradi? Nuk do të ketë asnjë kërkesë në UEFA nga ana jonë. Nuk kemi frikë të shkojmë të luajmë atje, për vetë faktin se sporti është gjëja më e bukur dhe më paqësore që mund të ketë.
20139882_1417413654963018_3077231402833756729_n-470x313
Nuk duam të mendojmë fare për të kaluarën, plus që në të tilla kompeticione, siguria nga klubet është më e madhe, pasi edhe ndëshkimet janë më drastike nga UEFA. Ne do të kujdesemi për një organizim perfekt në fushën tonë, në mënyrë që çdo gjë të kalojë qetë dhe t’i presim si miq delegacionin serb të Partizanit.

Besoj se edhe ata të njëjtën gjë do të bëjnë. Përsa i përket tifozëve, u bëj apel që të mbështesin ekipin dhe të lenë pas nacionalizmat. Duhet të jenë të qetë dhe të kontrolluar, pasi në fund të fundit, qëllimi i futbollit është të bashkojë ekipet dhe shtetet”, përfundoi Takaj. (p/sport)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: