Tre persona kanë vdekur në një shpërthim gazi në një ndërtesë banimi nëntëkatëshe në Balashikha të Rajonit të Moskës në Rusi, katër të tjerë u plagosën dhe dy mbeten nën rrënoja, tha shërbimi për shtyp i Ministrisë ruse të Emergjencave.
“Tre persona kanë humbur jetën, një person është shtruar në spital dhe tre kanë marrë ndihmën mjekësore në vend. Paraprakisht dy persona mbeten nën rrënoja”, tha shërbimi për shtyp.
Sipas informacioneve të fundit, objekti i banimit është shembur sërish nga dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i gazit. Tre shpëtimtarë përfunduan nën rrënoja. Dy pllaka mbi të cilat po punonin ekipet e shpëtimit u shembën. Për momentin ata janë duke u shpëtuar nga kolegët e tyre.
Shërbimi për shtyp i Ministrisë ruse të Emergjencave theksoi se 48 njësi pajisjesh dhe 184 shpëtimtarë po punojnë në vend.
Shpërthimi i gazit ndodhi në katin e katërt të një pallati banimi në Balashikha të Rajonit të Moskës. Për pasojë janë shembur tre kate. Ekipet e shpëtimit kanë evakuuar tashmë 170 persona, të cilët tani ndodhen në tre strehimore të përkohshme. Dy persona mbeten nën rrënoja: një grua dhe një fëmijë.
Shërbimet e urgjencës, hetuesit dhe ekspertët janë tashmë në vendngjarje. Mbeturinat po hiqen. Lidhur me ngjarjen ka nisur një çështje penale.