Angela Merkel për shkak të karrierës së saj të veçantë mund të quhet fitimtarja më e madhe e bashkimit të Gjermanisë. Prej 13 vitesh qeveris Gjermaninë kancelarja kristiandemokrate e lindur në Hamburg dhe e rritur në Republikën Demokratike Gjermane, RDGJ, që prej disa kohësh qeveris më shumë keq se sa mirë. As për kancelaren federale që është nga anët e tyre nuk janë dot krenarë gjermanolindorët. Ndoshta prandaj edhe distanca qeveri-të qeverisur është më e madhë në lindje të Elbës se sa në perëndim.

Merkel është në sytë e tyre përfaqësuesja më e dalluar e një politike që nuk përfaqëson interesat e tyre, megjithëse ajo ndan me ta përvojën e diktaturës dhe të shkuarës. Por në një kohë që për të nga rënia e Murit të Berlinit rruga njohu vetëm ngjitje, për miliona gjermano-lindorë prej kohësh rruga ka marrë të tatëpjetën. Sidomos përvoja lënduese e papunësisë së zgjatur jo për fajin personal ka lënë gjurmë të thella në Lindje.

Shpesh mungon respekti për arritjet jetësore në një diktaturë

Arritjet jetësore të një njeriu në kushtet e një shteti që kulturalisht dhe ekonomikisht e mbyste vullnetin e lirë, u shpërbënë brenda një nate. Për ta përballuar këtë të duhej një masë e madhe fleksibiliteti, mobiliteti dhe stabiliteti emocional, gjë që nuk iu kërkua gjemanoperëndimorëve. Transformimi strukturor ekonomik dhe ndryshimet e mëdha politike në Republikën e vjetër federale nuk erdhën nga një ditë në tjetrën.

Ndërsa gjermanlindorët përjetuan brenda një kohë të shkurtër erozionin e plotë të një rendi shoqëror, që si shumicë ata nuk e donin, por që kishte vulosur jetët e tyre pa asnjë dallim. Me krenarinë për revolucionin paqësor të vitit 1989-1990 shumë prej tyre nuk mund „të blinin” asgjë. Këtë gjendje e kanë kaluar vërtet ndoshta të gjithë, por në mesataren statistikore ata jetojnë shumë më modest se sa në pjesën perëndimore.

Arritjet shpërblehen rrallë

Në raportin e fundit për vlerësimin e stadit të bashkimit gjerman mund të lexosh: Rrogat reale të paguara në Lindje arrijnë vetëm 82% të nivelit të perëndimit edhe 28 vjet pas bashkimit të Gjermanisë. Kush e shet këtë si sukses, i mbyll sytë përpara kontekstit ku duhet kuptuar ky realitet. Sepse më pak para për të njëjtën punë do të thotë në të njëjtën kohë më pak respekt dhe njohje e vlerës së kësaj pune.

Retorika bosh për arritjet që do duhet të shpërblehen tingëllon në sytë e shumë gjermanolindorëve edhe më pak e besueshme, se në perëndim. Pagesa më e ulët, mungesa e viteve të punës për pensionin dhe padrejtësi të tjera kanë efekt të gjatë veprimi. Shoqëria me dy klasa është gdhendur në gur për 50-vjeçarët e sotëm dhe më të moshuarit. Kjo ka qenë dhe mbetet skandaloze.

Kabineti i Merkelit një zonë gati e paprekur nga gjermanolindorët

Por ajo që rëndon më shumë se disfavorizimi material është sundimi i padiskutueshëm i elitave perëndimore gati në të gjithë sferat e shoqërisë. Kabineti i Merkelit me 16 poste pa kancelaren dhe ministren e Familjes, Franziska Giffey të lindur në vitin 1979 në Lindje do të ishte një zonë e paprekur nga gjermanolindorët. Këtë mund edhe ta quash rastësi. Por mund ta quash edhe ndryshe e ashtu siç është në të vërtetë: një simptomë për gjendjen e bashkimit gjerman.

Nga bashkimi shtetëror ka kaluar gati një gjeneratë dhe megjithatë tonin Gjermanisë ia japin gjermanoperëndimorët. Personeli drejtues gjermanolindor në sipërmarrje, universitete apo media është tejet i nënpërfaqësuar, edhe Deutsche Welle nuk përbën këtu ndonjë përjashtim. E vetëm kur të kalohet kjo gjendje, nuk do ta dëgjojmë më edhe atë krahasimin irritues por edhe të nevojshëm mes Lindjes dhe Perëndimit të Gjermanisë. E vetëm atëherë kur Dita e Bashkimit të Gjermanisë nuk do të ofrojë më rast për një koment të tillë, është përmbyllur edhe bashkimi i vendit nga brenda./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb