NGA SENAD NIKSHIQI

SHKODER- Për vite me radhë kanë kërkuar rikonstruk sionin e rrugës por kanë marrë vetëm premtime që nuk janë mbajtur asnjëherë. Shumë prej banorëve të lagjes “Dudas” në Shkodër janë rrëzuar në gropat e mëdha me ujë duke pësuar dëmtime gjymtyrësh. Familjet e asaj lagjeje kanë bërë një peticion që do ta dërgojnë në bashkinë Shkodër për rikonstruksionin e rrugës. Ata shprehen se ka ardhur koha që Bashkia Shkodër të bëjë të mundur rikonstruksionin e rrugës.

Elvisa Drishti, njëra prej banoreve të kësaj zone thotë për “Gazeta Shqiptare” se: “Prej shumë vitesh rruga këtu është në gjendje shumë kritike. Ne do t’i kërkojmë autoriteve vendore që të marrin masa për rikonstruksionin e rrugëve të kësaj lagjeje. Kemi bërë një peticion për këtë problem dhe janë hedhur 300 firma. Peticionin do ta dërgojmë këtë të martë (nesër) në Bashkinë Shkodër. Natyrisht që do t’i lëmë një afat ndërsa kërkojmë që bashkia të dërgojë inxhinierët për të nisur më pas punën”.

Po ashtu, ajo shprehet se shumë persona që janë rrëzuar në këtë këtë rrugë, pasi ka gropa të mbushura me ujë, janë rrëzuar dhe kanë marrë dëmtime në gjymtyrë.

“Këtu shumë persona kanë pësuar dëmtime në gjymtyrë teksa janë rrëzuar për shkak të gropave të mbushura me ujë. Kjo ka ndodhur me të moshuarit por edhe me nxënësit e shkollave të cilët e kanë një vuajtje të përditshme duke qenë se përshkojnë dy herë në ditë këtë rrugë”, thekson e shqetësuar Elvira.

Kjo e fundit tregojnë se çdo kryetar bashkie u ka premtuar për rregullimin e rrugës, por asgjë nuk është rregulluar deri më tani.

“Nuk është aspak normale që edhe pas 27 vitesh të jemi në këtë gjendje. Disa herë na është premtuar, nga çdo kryetar bashkia por deri tani nuk është marrë asnjë masë. Kryebashkiakja Ademi erdhi dhe na kërkoi votat në fushatë elektorale por nëse nuk bën të mundur rikonstruksionin e rrugës atëherë këtu tek ne s’ka më vota. Nuk mund të pranojmë të na thuhet se nuk është prioritet rikonstruksioni i kësaj rruge siç na kanë thënë deri tani”, shprehet ajo.

Sipas banorëve nëse ky peticion nuk do të merret parasysh nga ana e Bashkisë Shkodër, atëherë banorët e kësaj zone thonë se janë të detyruar të dalin në protestë.

“Në rast se peticioni ynë nuk merret parasysh atëherë do nisim protestat”, u shprehën banorët për gazetën. Edhe më përpara banorët e lagjes “Dudas” kanë kërkuar të rikonstruktohet rruga por kjo kërkesë nuk është realizuar për më shumë se 20 vite me radhë duke ia vështirësuar ndjeshëm qarkullimin.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb