Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Kriza ndërkombëtare e çmimit të naftës ka gjunjëzuar edhe industrinë minerare shqiptare. Kjo ka detyruar kompanitë e minierave të pezullojnë aktivitetin e tyre prej disa muajsh, duke lënë pa punë qindra minatorë.

Një prej tyre është edhe koncesionari i Fushë-Arrëzit, kompani e cila në kushtet e vështira financiare ka pezulluar përkohësisht nga aktiviteti, punonjësit. Prej më shumë se tre muajsh 300 minatorët e Munellës dhe fabrikës së pasurimit të bakrit në zonën e Pukës nuk janë paguar sipas kontratës së punës.

Problemi qëndron në mosrespektimin e marrëveshjes që qeveria ka nënshkruar me kompaninë BerAlb dhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Kreu i kësaj të fundit, Gëzim Kalaja në një deklaratë për mediat ka sqaruar se përgjegjëse për këtë situatë është qeveria, e cila duhet t’i kthejë sipas marrëveshjes, sa më parë borxhin prej 3,6 milionë eurosh që i ka koncesionarit, me qëllim që ky i fundit të paguajë minatorët.

Qeveria shqiptare i ka një borxh kompanisë Beralb prej 3,6 milion eurosh, e cila nuk i ka marrë edhe pas vendimeve të gjykatës së Apelit për kthimin e këtij borxhi.
Duke pasur këtë borxh u ra dakord që në dy muajt e parë për shkak të procedurës për pagesën e borxhit pagat e minatorëve të paguheshin nga BerAlb me një pagë mujore prej 250 mijë lekësh të vjetra.

Në këto kushte të tre ministritë përgjegjëse ajo e Punës, Financave dhe Energjetikës ranë dakord me sindikatën që në vazhdim do t’i kthenin me këse borxhin kompanisë turke çdo muaj me qëllim shpërblimin mujor të punëtorëve. Por që prej muajit qershor minatorët janë pa pagesë. Kalaja thotë se të tre dikasteret dhe kryeministri janë njoftuar për situatën e vështirë ndaj apelon sërish për marrjen e përgjegjësisë prej tyre.

“Kompania pagoi dy muaj minatorët ndërsa qeveria që prej tre muajve nuk ka dhënë asnjë lekë dhe minatorët janë pa pagesë. Duke hyrë kështu në muajin e katër të mos pagimit. Kemi njoftuar të tre ministritë, e punës, e financave dhe energjetikës për këtë çështje. Qeveria nuk po mban angazhimin.”- deklaroi Kalaja.

Nëse heshtja e qeverisë nuk do të thyhet brenda muajit shtator, kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura deklaron nisjen e protestave.

“I bëj një mesazh të qartë kryeministrit dhe strukturave të qeverisë të mbajnë angazhimin ndryshe do të përballen me protesta, fillimisht në Tiranë, më tej në qendrën e Fushë Arrëzit”- u shpreh Kalaja.

Ndërprerja e aktivitetit të BerAlb ka shkaktuar kaos social-ekonomik kryesisht në zonën e Fushë Arrëzit, ku 90% e familjeve të zonës kishin të punësuar të paktën një pjesëtar pranë kësaj kompanie.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb