TIRANE – Është zhvilluar sot ceremonia e përcjelljes për në Shkollën e Trupës në Bunavi të 300 kandidatëve fitues për t’u rekrutuar në Forcat e Armatosura.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm etj. Pas përfundimit të procesit të testimit fizik, psikologjik dhe intelektual, të rinjtë që janë përzgjedhur për të shërbyer në radhët e Forcave tona të Armatosura u nisën sot drejt shkollës së trupës në Bunavi të Vlorës.

Ministrja e Mbrojtjes, znj.Mimi Kodheli, zgjodhi pikërisht këtë moment për t’iu uruar rekrutëve mirëseardhjen ne FA. Duke iu drejtuar të rinjve, kreu i Mbrojtjes u shpreh: “Dikush prej nesh i ka vënë qëllimin vetes ti shërbejë atdheut, sepse ju siguroj që ndjehesh krenar, ndjehesh mirë me veten, madje ndihesh dhe me sedër të përkëdhelur kur të tjerët të thonë faleminderit që na ke shërbyer”. Më tej, ministrja Kodheli solli në vëmendje djemtë dhe vajzat tona që shërbejnë nën armë, të cilët, nënvizoi ajo, japin maksimumin e tyre kur Shqipëria ka nevojë. E bëjnë këtë dhe jashtë kufijve të atdheut, duke rrezikuar jetën që është gjëja më e shtrenjtë për gjithsecilin prej nesh, e bëjnë këtë në emër të asaj që përfaqësojnë, e bëjnë këtë në emër të flamurit, e bëjnë këtë në emër të Shqipërisë, vendit tonë të dashur, të cilin duhet ta ruajnë nga çdo gjë që e bën pis.

Gjithashtu, ministrja e Mbrojtjes nuk la pa prekur në fjalën e saj mundin, përpjekjen dhe sakrificën që i duhet të rinjve për tu bërë pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare. “Do t’ia mbërrini të kapërceni disa vështirësi që do të gjeni sepse të qenit Forcë e Armatosur është gjithçka, por jo fushë me lule, por në fund do të ndiheni shumë mirë me veten”, – nënvizoi Kodheli. Të qenit pjesë e FA të Republikës së Shqipërisë, vijoi Ministrja, do të thotë edhe shumë mundësi, do të thotë mundësi për të përparuar në karrierë, do të thotë mundësi për tu shkolluar jashtë, në akademitë dhe shkollat më të mira që bota e zhvilluar ofron, do të thotë mundësi për ta përfaqësuar vendin në institucionet dhe organizmat më në zë të botës që na rrethon.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli e mbylli fjalën e saj me këshillën drejtuar të rinjve: “Mos u ktheni mbrapa, mos u jepni nga vështirësitë, mendoni që nesër e ardhmja juaj do të jetë më e mirë se kjo e sotmja. Ju uroj nga thellësia e zemrës shumë sukses”. Më pas, 300 kandidatët fitues u nisën drejt Shkollës së Trupës së FA në Bunavi të Vlorës, ku do t’i nënshtrohen Stërvitjes Individuale Bazë, e cila zgjat 9 javë. Gjatë muajit shtator-tetor 2015 Qendra e Personel Rekrutimit zhvilloi fazën e dytë të Planit të Rekrutimit për vitin 2015 në FA, ku me transparencë dhe profesionalizëm kandidatët iu nënshtruan tre testimeve, atij fizik, intelektual dhe psikologjik. Në përfundim fituan 300 kandidatë të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, prej të cilëve 22 vajza dhe një pjesë e mirë me arsim të lartë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: