32 studentë nga Europa në Kolegjin e Europës në Tiranë, Veliaj jep lajmin e mirë: “Tre bursa për të rinjtë ekselentë shqiptarë”; Ambasadori i BE: “Shqipëria është Europë”
U mirëpritën dje, në Kampusin e Kolegjit të Europës në Tiranë, 32 studentët nga 21 vende të ndryshme të Europës, të cilët do të studiojnë në kryeqytetin shqiptar gjatë vitit akademik 2024-25. Në ceremoninë e përurimit të Kampusit të Kolegjit, me seli në godinën “Liria” pranë Qytetit Studenti, mori pjesë Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manasterliu.
Në fjalën e rastit, kryebashkiaku Veliaj dha lajmin se, Bashkia e Tiranës, përveç kontributit në krijimin e kushteve të mira për studentët, ka kontribuuar me tre bursa për tre të rinj ekselentë shqiptarë. “Shekullit të 21, gjithnjë e më shumë po i referohemi si shekulli i qyteteve. Pra, njerëzit thonë “Kolegji i Tiranës”, jo më “Kolegji në Republikën e Shqipërisë”. Ne i lidhim këto ngjarje me qytetet, më shumë se sa me shtetet. Prandaj, edhe vendosëm që, përveç ndihmës në krijimin e infrastrukturës së kolegjit, të kontribuojmë edhe me tre bursa”, u shpreh ai.
Veliaj ftoi studentët të bëhen pjesë e aktiviteteve kulturore, që do të zhvillohen në Tiranë vitin e ardhshëm, kur kryeqyteti shqiptar mabn titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. “Dy vite më parë ne ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë; vitin e kaluar ishim Qyteti Europian i Sportit. Këtë vit kemi presidencën e B40, rrjeti më i madh i kryebashkiakëve të Ballkanit. Por, vitin e ardhshëm, do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj mezi pres që disa prej jush t’i bashkohen ekipit”, tha kryebashkiaku.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato tha se Shqipëria është pjesë e Europës. “Nuk është vetëm një realitet i ri akademik, që ndodh në Tiranë, por ka të bëjë me sjelljen e Bashkimit Europian këtu në Shqipëri dhe këtu në rajon. Ne përdorim një slogan në Delegacionin Europian: “Europa është këtu”. Në fakt është i gabuar sepse duhet të jetë: “Bashkimi Europian është këtu”, pasi Europa është tashmë këtu, sepse Shqipëria është Europë”, tha Gonzato.
Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi se hapja e Kolegjit në Tiranë e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve që ofrojnë standarde të larta arsimore. “Hapja e Kolegjit të Europës në Tiranë e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve që ofrojnë standarde të larta arsimore, duke siguruar një mundësi të re për studentët shqiptarë dhe ata të rajonit. Me Kolegjin e Europës, Europa është këtu. Dëshiroj të shfrytëzoj këtë moment për të falënderuar të gjithë ata që u bënë pjesë e kësaj sfide: Së pari, Bashkimin Evropian dhe Komisionin Evropian për mbështetjen, Kolegjin e Europës për pranimin e ftesës për të vendosur praninë e tij në Tiranë, duke njohur potencialin që ka Shqipëria dhe ndikimin e saj në rajon”, u shpreh ajo.
32 studentët që janë pjesë e Kolegjit të Europës, i cili do të çelë dyert për herë të parë në Tiranë, do të ndjekin studimet në fushën e Transformimeve Europiane dhe Studimet e Integrimit (ETI).