U bënë 34 vite, prej atyre ditëve të ftohta të Dhjetorit, ku studentë e të rinj, intelektualë, burra e gra, njerëz të zakonshëm u bënë bashkë, krijuan Partinë Demokratike, thyen diktaturën dhe sollën pluralizmin dhe liritë e mohuara për katër dekada e gjysëm.

Sa shumë mund të thuhen për këto kohë, e për këtë forcë politike. Pa fund. Por dua të veçoj disa gjëra. Me gjithë ulje-ngritjet, me gjithë problemet, me gjithë mosarritjet, apo dështimet, PD një gjë nuk e ka humbur kurrë. Pasionin për të luftuar me të keqen. Përballjen pa kushte me të padrejtën, me korrupsionin, me krimin, me bandat. Përkushtimin për interesin publik. Pra, Partia Demokratike ka patur forcë ta rigjejë gjithmone moralin, dhe për këtë arsye arriti t’i mbijetojë shumë momenteve të vështira. Është ky moral që në fëmijërinë time e kisha prezent në famije, në vokacionin e babait dhe më pas si adoleshent në mënyrë instiktive, pa u menduar gjatë, më shtyu drejt kësaj familje politike. Sot patjetër që analizoj dhe arsyetoj. Dhe arrij pa hezitim në konkluzionin se ka qënë zgjedhja e duhur.

E lindur në trazira, në përmbysje, Partia Demokratike nuk e ka në thelbin e saj, qetësinë, rehatinë. Gjithnjë në lëvizje, gjithnjë e gjallë. Gjithnjë në protestë.

Normalisht, me qendrimet e qarta, të dukshme, me pozicionin e pambuluar apo kamufluar, me avokimin e disa vlerave konservatore, po sidomos me forcën e denoncimit të qeverisjes së keqe dhe korrupsionit e lidhjeve me krimin, PD ka krijuar jo pak armiq. Ka jo pak njerëz që nuk e duan.

Po të gjithë ama, edhe më kritikët, më fanatikët, më ekstremistët po jetojnë, po dalin në pension e po plaken, me atë që ata provojnë për Partinë Demokratike.

Është e pashmangshme, nuk qendron dot indiferent ndaj saj. Për shkak se aty me gjithë të metat e mangësitë, ka përmbajtje, ka projekt, ka ide, ka debat, ka mendime, ka aspirata. Ka votë, ka garë. Ka sërish endrra.

Dhe kjo është grishja e madhe, që më bën të besoj tek kjo parti.

Unë e kam nisur angazhimin tim me Forumin Rinor, ne moshën 16 vjeçare dhe sot jam anëtar kryesie. I votuar. Nuk ka qënë as e lehtë, as shëtitje.

Po vitet më të vështira ishin këto të fundit, ku demokratëve nuk ju desh thjesht të përcaktonin një lider, një simpati, një fluks, apo një mënyrë drejtimi. Ata u thirrën në sfidën për ta mbajtur, apo dorëzuar partinë që lindi në sheshet e përballjes. Dhe zgjedhja që bënë ishte edhe një herë, produkt i kurajos, i vullnetit, i lirisë së tyre.

Pas shumë përpjekjeve dhe sprovave, PD mbijetoi dhe sot është në erë të mbarë.

Ka një frymë, ka një energji, ka një optimizëm, ka një ringritje. Unë besoj tek Partia Demokratike, dhe ky besim më mban të bashkuar me të, me kauzat e qëllimet e saj. Viti që po vjen, jam i bindur se do të shpërblejë qendresën e mijëra demokratëve, që e mbajtën dhe e ruajtën si krijesën e tyre këtë forcë politike, pa pasur asnjë interes, apo plan përfitimi. Thjesht me idealizëm.

Është radha jonë. Ne do të fitojmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb