Në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në Fier, kreu i grupit parlamentar të kësaj force politike, Gazment Bardhi theksoi rëndësinë e bashkimit dhe energjisë së demokratëve për të sjellë një ndryshim të madh më 11 maj.

Duke iu drejtuar demokratëve dhe qytetarëve të Fierit, Bardhi kujtoi sakrificat e viteve 1991, kur kurajoja për ndryshim i dha jetë partisë së parë opozitare në Shqipëri. Ai u shpreh se historia e PD-së ka treguar se çdo herë që demokratët bashkohen, ata kthehen në një forcë të pathyeshme.

Bardhi akuzoi qeverinë e Edi Ramës për korrupsion dhe përpjekje për të manipuluar qytetarët e Fierit, por ai vuri theksin te vlerat dhe dinjiteti i fierakëve, duke theksuar se asnjë përpjekje për të blerë vota nuk do të ketë sukses.

“Unë kam bindjen se çdo ditë nga sot e deri më 11 maj, ky bashkim dhe kjo energji do të shndërrohen në burim fitoreje dhe shprese për Fierin dhe gjithë Shqipërinë,” deklaroi Bardhi në përfundim të fjalimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb