TIRANE- Kryeprokurori Adriatik Llalla mbajti sot një takim me katër ministrat e kabinetit qeveritar. Në këtë takim, Llalla dhe ministrat, që kanë në organikë të tyre oficerë të Policisë Gjyqësore shprehën në parim dakordësinë e plotë për të gjetur mundësitë për shtimin e numrit dhe rritjen e cilësisë nëpërmjet trajnimeve të posaçme të zyrtarëve që merren drejtpërdrejtë me hetimin penal në Shqipëri.

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në zbatim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, zhvilloi një takim të zgjeruar me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, të cilët ishin të shoqëruar nga Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Tatimeve dhe Doganave, për të diskutuar mbi forcimin e rolit të policisë gjyqësore dhe rritjen e efikasitetit në goditjen e krimit në përgjithësi dhe krimeve financiare në mënyrë të veçantë.

Në fjalën hapëse të takimit, i cili u zhvillua në Prokurorinë e Përgjithshme mesditën e së hënës Llalla vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërinstitucional, duke theksuar se “ka pasur rezultate të dukshme”. Gjithësesi, Prokurori i Përgjithshëm shprehu bindjen se “të gjithë jemi të bindur se kemi mundësi për të pasur rezultate edhe më të shumta. Për këtë arsye është i nevojshëm një koordinim më i mirë, fillimisht në nivelin drejtues dhe më tej në nivelin zbatues”.

Në vlerësimin e Prokurorit të Përgjithshëm, qëllimi i këtij takimi, krahas detyrimit ligjor, është diskutimi për të gjetur hapësirat e përbashkëta për shtimin e numrit të oficerëve të Policisë Gjyqësore, si edhe domosdoshmëria për rritja profesionale të tyre. “Në vlerësimin tonë, masat duhet të jenë të menjëhershme, në mënyrë që t’i përgjigjemi me efikasitet problematikës kriminale”, u shpreh Llalla. Ministri i Brendshëm, Tahiri, u shpreh se, krahas nevojës për forcimin e kapaciteteve në Policinë Gjyqësore, është e domosdoshme që të zhvillohen analiza funksionale dhe analiza rezultati, lidhur me hetimet penale. Ministri i Drejtësisë, Manjani, vuri theksin tek shpejtësia e hetimit, për të minimizuar problemin e mbipopullimit të ambienteve të paraburgimit, si edhe të kostove financiare që pasojnë këtë situatë.

Në fjalën e tij, Ministri i Financave, Cani tha se shtimi i numrit të përgjithshëm të oficerëve të Policisë Gjyqësore ka kosto financiare dhe për këtë arsye, institucionet duhet të paraqesin argumentin e plota mbi nevojën e forcimit të kapaciteteve njerëzore të këtyre strukturave. Ai shprehu garancitë se Ministria e Financave do të angazhohet maksimalisht për të siguruar rritjen e numrit të oficerëve të policisë gjyqësore. Gjithashtu, edhe ministri i Mjedisit, Koka, shprehu qëndrimin e njëjtë për nevojën e forcimit të kapaciteteve njerëzore në këtë drejtim. Ai përmendi në takim Moratoriumin e vendosur lidhur me prerjen e paligjshme të pyjeve dhe vlerësoi se është shumë i nevojshëm rritja e burimeve njerëzore për të parandaluar shkatërrimin mjedisor. Në diskutimet në vijim, të cilat u karakterizuan nga fryma e përbashkët konstruktive, u përfshinë edhe Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë, Tatimeve dhe Doganave.
TAHIRI: PARA LIGJIT TE GJITHE SHKELESIT
Fill pas takimit me kryeprokurorin, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pohoi para mediave se u fol për përmirësimin e burimeve njerëzore. Ndër të tjera Tahiri theksoi se kjo nismë është në funksion të hetimeve penale për të çuar para ligjit të gjithë ata që shkelin ligjin. “Takimi ishte në kuadër të përmirësime të burimeve njerëzore. Janë të gjitha në funksion të hetimeve penale për të çuar para ligji të gjithë ata që shkelin ligjin. Nuk i kemi hyrë ende vlerësimit analitik të rezultateve për secilin strukturë. Do ketë tryeza të tjera dhe ata që shkelin ligin të shkojnë para ligjit.”, tha Tahiri.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani pasi u pyet për tryezën për reformën në drejtësi, deklaroi se për të do të flasë një herë tjetër, ndërsa theksoi se ai nuk është ekspert. “Po flas nga dera e Prokurorisë. Ju kam thënë se s’jam ekspert dhe nuk jam palë për reformën.”, pohoi ai. Teksa u pyet nëse do ti bënte thirrje opozitës që ti bashkohej tryezës, ai shtoi se “Nuk jam ministri i opozitës, jam i qeverisë.”.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: