Nga: ANISA YMERI*

TIRANE- Janë rrënoja prej pak kohësh në administrim të Ministrisë së Kulturës….dhe jo më kot. Sot, ky mjedis flet vetëm për një kënd të harruar në kryeqytet, por me gjasë s’do të jetë kështu për shumë gjatë.

Është Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila në një dalje mediatike deklaroi se në pranverë do të nisë procesi që 4 milionë euro, aq të njohura si fondi grek dhe fonde publike shqiptare, do të shkojnë për rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe një teatër të përkohshëm kombëtar, që do të jetë në afërsi të Gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi’ në kryeqytet.

Ndërkaq, alarmi për gjendjen e emergjencës së Teatrit Kombëtar ekzistues, problematikat e mëdha me të cilat përballet godina e degraduar, është lëshuar shpesh.

“Aktualisht jemi përballë një lajmi shumë të mirë sepse më në fund Tirana, sipas deklarimeve të ministres së Kulturës do të ketë një ambient tjetër alternativ për teatrin derisa të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar. Besoj që do të jetë në të njëjtin vend, në të njëjtin territor. Nëse zgjidhim emergjencën, besoj se jemi në një nisje të mirë, cilësia artistike është një produkt që do të vijë”, tha Hervin Çuli, Drejtor i Teatrit Kombëtar.

Nuk ka afate se kur Teatri Kombëtar do të spostohet në këtë mjedis të ri, i cili më pas do të jetë një skenë alternative e kryeqytetit, por kjo pranverë me gjasë do të shënojë nisjen e punimeve dhe do të marrë kohën që këto magazina të shndërrohen në teatër ku publiku do të mund të ndjekë shfaqjet e trupës së Teatrit Kombëtar.

Ajo çka dihet me siguri është se pasi Teatri Kombëtar të zhvendoset në këtë mjedis të përkohshëm i cili do të përshtatet për teatër, kjo godinë e ndërtuar në vitin 1939, si pjesë e kompleksit të ndërtimeve italiane e që shërbeu si revistë gjatë viteve të pushtimit, nuk do të jetë më.

Në vend të kësaj godine e cila ka qenë Teatri Kombëtar i shqiptarëve, prej 24 majit të vitit 1944 me shfaqjen e parë përuruese Pleqtë dhe Lufta, në Kongresin e Përmetit, duke u quajtur “Teatri Profesionist” që u legalizua si i tillë më 25 maj 1945 me emrin “Teatri i Shtetit”, do të ndërtohet një godinë e re që do të jetë Teatri Kombëtar.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb