MEKSIKE- 40 shqiptarë nga Kosova, janë nisur në drejtim të Amerikës në kërkim të një jete më të mirë.
Por ndërsa janë përpjekur për të kaluar ilegalisht kufirin e Meksikës, ata janë gjuajtur me armë nga policia amerikane, ku dy prej tyre janë plagosur, ka bërë të ditur për ‘Zërin’, kosovari Durim Zeqiri, pjesë e këtij grupi, raporton zeri.info.

Zeqiri ka njoftuar gazetën Zëri, përmes së cilës bën apel tek autoritetet kosovare që të ndihmojnë kosovarët që kanë mbetur në Meksikë, në pamundësi tani edhe për t’u kthyer në Kosovë, pasi shumica prej tyre i kanë shpenzuar edhe paratë në përpjekje për të arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Fillimisht kemi provu 5 veta prej nesh me kalu kufiriin e Meksikës për me dal në Amerikë. Përveç që na ka ndjek policia amerikane na kanë gjuajtur edhe me armë. Dy prej grupit janë në gjendje shumë të rëndë”, thotë Zeqiri ndërsa apelon tek autoritetet kosovare që të kontaktojnë me autoritetet në Meksikë dhe të gjejnë zgjidhje për t’i ndihmuar.

40 kosovarët të gjithë të rinj, 26 deri 33 vjeç, kanë mbetur të shpërndarë nëpër Meksikë, kanë humbur edhe kontaktin me njëri tjetrin, tregon Zeqiri.

”Jemi shpërndarë, kemi humbur lidhjen me njëri tjetrin, jemi munduar të hyjmë në Amerikë prej shumë pjesëve të kufirit të Meksikës por nuk kemi arritur”, shton më tej Zeqiri.

Si përfundim kosovarët janë lajmëruar në policinë e Meksikës, por ajo i ka dëbuar, duke mos pranuar që të flasë me ta.

“Jemi në hall, na duhet ndihmë prej qeverisë së Kosovës, të na bajnë qare, se shumë keq kemi mbet”, shprehet ai.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: