Për një pjesë të madhe të qytetit italian të Potencës, koha ka ndalur.

Më 23 nëntor 1980, një tërmet bëri që qendra të tëra të banuara të shkatërroheshin, bashkë me humbjen e jetëve të 2 900 personave midis Irpinias dhe Bazilikatës, shkruan për ”Corriere della Sera”-n gazetari i njohur, Claudio Del Frate.

Ndërsa afrohet përvjetori i dyzetë i kësaj tragjedie, 350 familje në Bukaleto në qytetin e Potenës janë ende duke jetuar në ndërtesat e parafabrikuara, që ishin ndërtuar përkohësisht për të siguruar strehim për ata që mbetën të pastrehë.

Pavarësisht nga koha që ka kaluar, përkundër miliarda eurove të dhëna, banorët janë ende në baraka.

Viti 2020 dukej si një mundësi e mirë për të rindërtuar zonën, por Covid-19 i bllokoi sërish gjërat.

“Është turpi i fundit i atij tërmeti”, shprehet i hidhëruar Rocco Quaratino, president i shoqatës “Città bella”, i cili për vite me radhë është në krye të rikthimit të dinjitetit të zonës së Bukaletos.

Me qëllimet më të mira

Ashtu si shumë eksperimente të planifikimit urban, edhe Bukaleto kishte lindur si lagje, me synimet më të mira: do të bëhej një lloj kampusi universitar, një simbol model i një lagjeje të rilindur, por ndërkohë ishte e nevojshme të mendohej menjëherë për shumë familje që kishin parë shtëpinë e tyre të shkërmoqeshin nën lëkundjet e tokës me magnitudë 6,9 ballë të shkallës Rihter.

Kështu midis viteve 1981 dhe 1982 këto modele banesash prej druri dhe betoni u ndërtuan në periferi të qytetit të Potencës.

“Ne po flasim për shtëpi të vogla me përmasa 40 dhe 70 metra katrorë, me çati fillimisht eterniti. Ato u përdorën për t’u dhënë strehim familjeve të mbetura në rrugë. Familja ime gjithashtu jetoi në një nga ato shtëpi për një kohë të shkurtër’’, kujton Rocco Quaratino, i cili ishte në kohën e tërmetit ishte 13 vjeç dhe sot është 53 vjeç.

Të sistemuarit dhe ardhjet e reja

Jo të gjitha familjet e Bukaleto kanë pasur fatin të sistemohen, pasi 350 prej tyre janë ende atje në ndërtesat e parafabrikuara pavarësisht, 66 miliardë eurove të alokuara gjatë gjithë vitit 2010.

Jo të gjithë banorët e lagjes janë ”viktima” të vërteta të tërmetit të vitit 1980. Janë vetëm rreth 15% e tyre. Të tjerët janë për shembull fëmijë ose të afërm të qiramarrësve që u vendosën në ato baraka. Këto baraka shërbyen më pas për të përballuar emergjencat e tjera të strehimit dhe kështu mbërritën persona me probleme sociale ose migrantë.

Secili prej tyre i paguan bashkisë një tarifë mujore midis 50 dhe 100 euro në muaj. Ndërhyrjet e mirëmbajtjes gjatë viteve kanë qenë minimale. Çatitë prej eternitit kanë kanë qenë shkaktare që shumë njerëz të vdesin nga tumoret e mushkërive në Bukaleto.

Një pritje 40-vjeçare

”Fakti që për 40 vjet askush nuk ishte në gjendje të shkatërronte ndërtesat e parafabrikuara dhe t’i zëvendësonte ato me një strehim të vërtetë është një mister. Nuk ishte problem i parave, pasi u shtuan edhe 38 milionë euro, të vendosura në dispozicion të qarkut të Bazilikatës nga ligji për rizhvillimin e periferive”, shtoi Quaratino.

Qarku i Bazilikatës gjithashtu ka ndarë 15 milionë euro për të ndërtuar 150 banesa. Dukej koha e duhur, mungonte vetëm studimi gjeologjik mbi tokën në të cilën do të gërmoheshin themelet, por mbërriti pandemia dhe pritja për qiramarrësit e ndërtesave të parafabrikuara është zgjatur më tej.

“Por, sigurisht që nuk është çështje parash, por vullneti politik. Të gjitha administratat që morën drejtimin e qytetit, të djathta apo të majta, përdorën këtë vend për premtimet e tyre elektorale, por lanë gjithçka ashtu siç është. Por, ne nuk dorëzohemi. Jemi të zemëruar, por në të njëjtën kohë të vëmendshëm ndaj asaj që mund të ndodhë”, thekson i indinjuar Quarantino.(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb