TIRANE- E njohur ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Romëve, 8 prilli sjell mesazhin e këtij viti “Paqe dhe zhvillim për të gjithë romët në botë”.

Sipas Ministrisë së Arsimit, për të mbështetur arsimimin dhe gjithpërfshirjen e komunitetit rom në arsim, janë dhënë tekste shkollore falas për rreth 3219 romë , shifër kjo e përafërt, pasi raporti përfundimtar në MAS vjen në prill.

Sa i përket arsimit bazë, janë regjistruar 4437 nxënës rom në arsimin publik, ndërsa 66 në arsimin jopublik. Ndërkohë, që në arsimin e mesëm janë regjistruar 408 nxënës rom në arsimin publik dhe 14 në arsimin jopublik.

Për profesionet e rregulluara, kryesisht për profesionin e mësuesit janë punësuar 35 mësues rom. Duke filluar nga viti 2009, në çdo vit akademik, me VKM pranohen nga 20 studentë rom dhe egjiptian në çdo nivel studimesh. Tarifa e shkollimit të studentëve rom dhe egjiptian, po ashtu, caktohet çdo vit me VKM dhe është në nivelet 50%-100% bursë.

Ndërkaq, sipas burimeve zyrtare të MAS, tanimë ka përfunduar hartimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve në Republikën e Shqipërisë, 2015-2020, ku MAS dha ndihmesën e saj si ministri e linjës.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb