DURRES – Një ditë pas pengmarrjes për disa orë të 11-vjeçares në Kodër Rrashbull, 46-vjeçari me probleme mendore Arben Kabashi po mbahet nën masa të rrepta sigurie e në mbikëqyrjen e policisë, pasi ekziston rreziku që ai të tentojë vetëvrasjen.

Burime nga policia e Durrësit bëjnë më dije se Kabashi u trajtua fillimisht me qetësues në spitalin e Durrësit, e më pas u dërgua në paraburgimin e Durrësit. 46-vjeçari është lënë në një qeli më vete e po vëzhgohet nga forcat e rendit, për shkak se ka shfaqur tronditje pas ngjarjes së të hënës, kur mbajti peng për disa orë nën kërcënimin e thikës mbesën e tij 11-vjeçare.

Ndaj 46-vjeçarit që vuan nga çrregullime mendore të skizofrenisë pritet të caktohet masa e sigurisë nga Gjykata e Durrësit.

Një ditë më parë Kabashi kapërceu murin rrethues dhe u fut në banesën e kushëririt, fqinj me të, e mori me forcë vajzën 11-vjeçare, të cilën e kërcënoi me thikë në dorë se do ta vriste. Pas ndërhyrjes së policisë e mitura arriti të shpëtojë, ndërsa 46-vjeçari u neutralizua.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: