ELBASAN- Një qytetar nga Elbasani është vetëdorëzuar në polici pari ka rilidhur energjinë elektrike me qëllim që ta burgosnin, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ai është Kadri Filja, një kryefamiljar i pashpresë dhe i papunë që deklaron se nuk ka asnjë mundësi të paguajë fatuarat e energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm.

“E kam lidhur dhe rilidhur energjinë elektrike vetë, pasi nuk kam mundësi t’i paguaj. Të gjithë që më njihnin më thoshin se do të fusin në burg për këtë që po bën, dhe unë gjithnjë u thosha le të më fusin në burg, nuk kam mundësi, nuk kam para që ti paguaj. Arsyeja se pse nuk i paguaj është se nuk kam para, më mirë le të më fusin në burg, të paktën atje ka bukë e drita. Nuk mund t’i lë dot tre fëmijët dhe gruan pa drita, kështu pranoj të bëj rilidhje të paligjshme dhe të hyj në burg. Shkova në derën e Drejtorisë së Policisë që të denoncoja vetë veten time, por as atje nuk më mbajtën”,- rrëfen ai.

Pasi në burg nuk ia kanë hapur derën Filja tentoi të mbijetojë duke mbledhur kanace. “Nuk kam mundësi tjetër jetese, për të mbajtur familjen gjallë nisa të mbledh kanaçe, por edhe kjo punë tashmë nuk është e lehtë, thotë Kadriu për ABC News.

“ Mora një thes dhe nisa të shkoja tek kazanët e plehrave, me qëllimin që të laja dritat, por nuk i laja dot, nuk mblodha dot thuajse asnjë kanaçe. Madje brenda kazanëve të plehrave në rrugë kishte vetëm fletë lotoje. Nga mërzia i mora kazanët dhe i flaka në mes të rrugës, dhe falënderoj të gjithë lokalet përreth dhe kalimtarët të cilët nuk më thanë asnjë fjalë. Erdhi Policia, më pyeti se çfarë bëja, i thashë se nuk kam para për të paguar dritat, edhe ata nuk më bën asnjë ndërhyrje as më ndaluan”, tha ai.

49 vjeçari pohon se ka trokitur në zyra dhe institucione në Elbasan. Ndaj zgjidhjen e gjen përpara dy alternativave: ose shteti ta fusë në burg, ose mekanizmat e tij ti gjejnë një punë që të mbajë familjen dhe të paguajë taksat.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: