Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit bëri të ditur sot se ka nisur procedurën e prokurimit për “Shërbimin e Internetit dhe Intranetit për Institucionet Publike” për të siguruar shërbim interneti dhe intraneti, me palë të treta, për institucionet që ndodhen në territore jashtë Tiranës (apo edhe në disa segmente brenda Tiranës), të cilat nuk janë pjesë, e si rrjedhojë nuk mund të mbulohen nga rrjeti qeveritar GovNet.

Sipas AKSHI-t janë 895 institucione dhe 1304 shkolla në gjithë Shqipërinë, që do të përfitojnë nga këto shërbime.

Njoftimi

AKSHI është në kushtet e një “Procedure të Hapur, mbi kufirin e lartë monetar, Marrëveshje kuadër, (Elektronike), pasi sasia e internet /intranet që do të prokurohet gjatë zbatimit të kësaj marrëveshje kuadër, që do të lidhet me 4 operatorë ekonomikë (sipas DST të publikuar në sistemin e prokurimit publik) nuk mund të përcaktohet, pasi numri i institucioneve mund të pakësohet ose shtohet, ndërsa edhe kapacitetet mund të ulen ose rriten, në varësi të strukturave dhe shërbimeve përkatëse në çdo institucion.

Pra fondi limit, prej 632,264,825 (gjashtëqind e tridhjetë e dy milion e dyqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëqind e njëzetë e pesë) lekë pa TVSH është vlera e përafërt e kontratave, përllogaritur bazuar në Vendimin Nr. 285, për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik, e në nenin 62 që përcakton se përllogaritja e vlerës së marrëveshjes kuadër kur autoriteti/enti kontraktor e ka të pamundur të përcaktojë sasinë e objektit të prokurimit.

Këto nuk konsiderohen kontrata, sipas LPP-së. Në rast të përdorimit të kësaj lloj marrëveshjeje, autoriteti kontraktor, për të lidhur kontratë brenda marrëveshjes kuadër, do të rihapë konkurrimin.

AKSHI thekson se gjatë fazës së prokurimit, për përzgjedhjen e 4 operatorëve ekonomikë të suksesshëm, përcaktuar dhe në dokumentet standade të tenderit, kriteri i vlerësimit është bazuar në çmimin për njësi më të ulët, pra do të ketë ulje të çmimit për njësi, si pasojë e konkurrimit.

Në përfundim të procedurës së prokurimit pasi të kualifikohen dhe të lidhet marrëveshja kuadër me 4 operatorët e shpallur si të suksesshëm, për çdo kërkesë apo nevojë të institucioneve, do të realizohet minikonkurimi përkatës, çka do të sjellë përsëri ulje të çmimit për njesi.

Përqëndrimi i shërbimit të internetit ka sjellë kursimin me mbi 50% të fondeve të shpenzuara dikur, në mënyrë të decentralizuar nga vetë institucionet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: