TIRANE –Në Akademinë e Sigurisë në Sauk u zhvillua një ceremoni në nderim të policëve të rënë në krye të detyrës. Në Ditën e 5 Majit, policët nderuan kujtimin e kolegëve që kanë rënë dëshmorë. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe drejtori i Policisë së Shtetit Haki Cako.

“Dita e Dëshmorëve është dita e krenarisë. Sot reflektojmë mbi vlera të tilla si nderi dhe sakrifica. Jemi krenarë që ishim shokë dhe miq të kolegëve tanë martirë të rënë në krye të detyrës. Në nderim të të rënëve të policisë së shtetit, i lavdishëm dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre”- deklaroi drejtori i policisë Haki Cako.

IMG_5693

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri  theksoi se Reforma në Drejtësi është e vetmja rrugë për të garantuar një shoqëri më të sigurt e më të drejtë.

“Vepra e atyre që dhanë jetën për ta bërë Shqipërinë kjo që është sot është këmbana më e madhe e kujtesës për ne që jemi gjallë dhe kemi detyrën për të vazhduar veprën e tyre. Është këmbana më e madhe dhe thirrja më e fortë për të gjithë ne që të votojmë pa humbur kohë Reformën në Drejtësi, si e vetmja mënyrë, pa pushkë e pa armë, për ta vazhduar siç duhet atë që nisën ata që dhanë jetën për ta bërë Shqipërinë më të drejtë.”- deklaroi ministri Tahiri.

“Sot është dita për t’u përulur me respekt ndaj të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për Shqipërinë, për atdheun: për Dëshmorët e Kombit, duke respektuar edhe familjet e tyre, pasardhësit dhe të gjithë ata që me jetën e tyre kanë paguar një çmim shumë të shtrenjtë për të jetuar ditët që jetojmë sot.

Unë personalisht, Policia e Shtetit, të gjithë jemi në atë situatë ku, falë veprës së atyre që kanë dhënë jetën, sot duhet të bëjmë shumë më shumë për të garantuar siguri, dhe mbi të gjitha për të bërë gjithçka është e mundur që qytetarët shqiptarë të jetojnë në një vend shumë më të sigurt dhe të drejtë. Vepra e atyre që dhanë jetën për ta bërë Shqipërinë kjo që është sot është këmbana më e madhe e kujtesës për ne që jemi gjallë dhe kemi detyrën për të vazhduar veprën e tyre. Është këmbana më e madhe dhe thirrja më e fortë për të gjithë ne që të votojmë pa humbur kohë Reformën në Drejtësi, si e vetmja mënyrë, pa pushkë e pa armë, për ta vazhduar siç duhet atë që nisën ata që dhanë jetën për ta bërë Shqipërinë më të drejtë.

Ndaj besoj nuk ka vend për komente të tjera, më shumë se sa një thirrje për të gjithë ne, për të gjithë shoqërinë e ata që kanë mundësi, të vendosin sot për të çuar para, pa humbur asnjë orë më shumë, Reformën në Drejtësi si e vetmja rrugë për të garantuar një shoqëri më të sigurt e më të drejtë.”- u shpreh ministri.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb