Komisioni i Venecias do të japë opinion për kërkesën me 5 pyetje që Komisioni Hetimor për Presidentin Meta formuloi dhe Kuvendi e ka dërguar.

Përplasja ndodhi fill pasi Ardian Dvorani dërgoi dy lista njëherësh tek Presidenti Meta dhe dy tek Kuvendi. Meta emëroi një prej anëtarëve, ndërsa të dytin jo pasi deklaroi se emërimet duhet të bëheshin sipas radhës, Presidencë- Kuvend- Gjykatë e Lartë. Në mungesë të kësaj të fundit stafeta i mbeti vetëm dy të parave.

Meta fillimisht dekretoi Besnik Muçin, kurse Kuvendi vijoi sipas listave të KED ku emëroi Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën. Më pas Meta emëroi Marsida Xhaferllarin duke ‘djegur’ Arta Vorpsin e cila u mendua se ishte zgjedhur automatikisht pasi Meta nuk zgjodhi nga listat e KED anëtarin e dytë para se t’i zgjidhte Kuvendi.

Nga njëra anë Meta kallëzoi penalisht Ardian Dvoranin në tre prokurori kurse Komisioni Hetimor, krah hetimit për ç’dekretimin qe Meta bëri për datën e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 i shtoi edhe për dekretimin e Marsida Xhaferllarit. Tashmë si për 30 qershorin, edhe për Gjykatën Kushtetuese opinionin do t’a japë Venecia.

Pyetjet që Kuvendi i ka dërguar Komisionit të Venecias për opinion

1.Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej më shumë se 1 viti. Duke iu referuar debateve publike, është e pritshme që Gjykata Kushtetuese menjëherë sapo të rikrijohet të shqyrtojë dy cështje me interes të lartë publik: vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, si dhe shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Në këtë kontekst aktual faktesh, sa e rëndësishme për legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese është që secili nga organet e ngarkuara nga Kushtetuta në procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues (Këshilli për Emërimet në Drejtësi, Kuvend, President i Republikës dhe Gjykata e Lartë) të ndjekin në mënyrë rigoroze  procedurat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj?

2.Për rastet kur kompetenca e emërimit të gjyqtarit kushtetues i përket Presidentit, dhe nëse Presidenti i Republikës konstaton shkelje procedurale të Kushtetutës apo ligjit, në veprimtarinë e Këshillit për Emërime në Drejtësi, që prekin drejtpërdrejt dhe imponojnë rezultatin e listës që i dërgohet Presidentit për përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, cili është mjeti që duhet të përdoret për të garantuar legjitimitetin e procesit të emërimit prej tij të gjyqtarëve kushtetues?

3.Për rastet kur kompetenca e emërimit të gjyqtarit kushtetues i përket Presidentit dhe nëse Presidenti i Republikës konstaton ndërhyrje të papërshtatshme të mazhorancës politike që qeveris vendin në veprimtarinë e Këshillit për Emërime në Drejtësi që prekin drejtpërdrejt dhe imponojnë rezultatin e listës që i dërgohet për përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues Presidentit, cili është mjeti dhe procedura që duhet ndjekur për të garantuar legjitimitetin e procesit të emërimit prej tij të gjyqtarëve kushtetues?

4.Nëse Presidenti i Republikës kërkon publikisht nga Kuvendi zbatimin e parimit të lojalitetit kushtetues në emërimin e gjyqtarëve kushtetues respektivë, por kjo kërkesë e tij nuk merr përgjigje, madje veprohet në të kundërt duke e shtyrë Presidentin të veprojë për emërimin e gjyqtarëve kushtetues prej tij, sa dëmtohet legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese?

5.Cili është thelbi i mekanizmit zhbllokues në rastin e zgjedhjes/emërimit të funksionarëve të lartë të drejtësisë, duke përfshirë edhe gjyqtarët kushtetues? A synon mekanizmi zhbllokues të kërcënojë në çdo hap organin e emërtesës, edhe në rastin kur ai shfaq vullnetin për të vepruar, por pengohet për të vepruar pasi ka konstatuar pengesa ligjore apo problematika në procedurën paraprake? Mekanizmi zhbllokues ka si qëllim final të shmangë kompetencën e organit të emërtesës ose thënë ndryshe rrëmbimin e kompetencës së emërimit prej organit të emërtesës, në këtë rast të Presidentit të Republikës? Apo mekanizmi zhbllokues, siç e thotë edhe emri, synon të zgjidhë situatën kur organi i emërtesës nuk ka asnjë vullnet për të vepruar ose kur shfaq vullnetin e tij aktiv për të penguar emërimin e gjyqtarëve kushtetues?

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb