Pesë raste të tjera të variantit të koronavirusit Omicron janë zbuluar në Irlandë, tha të enjten Departamenti Irlandez i Shëndetësisë.

Kjo e çon numrin e përgjithshëm të rasteve të Omicron në vend në gjashtë.

Irlanda raportoi rastin e saj të parë të variantit Omicron në fillim të dhjetorit. Varianti lidhet me udhëtimin në një nga shtatë vendet e Afrikës Jugore, të cilat janë shpallur nga qeveria irlandeze si me rrezik të lartë.

Tony Holohan, zyrtari kryesor mjekësor në Departamentin e Shëndetësisë, tregoi se më shumë raste të variantit Omicron mund të konfirmohen së shpejti në Irlandë.

“Një numër i rasteve të tjera të mundshme janë nën hetim,” tha ai në një deklaratë.

“Megjithëse ky është një variant i ri, kuptimi ynë i hershëm na jep besim se një dozë përforcuese e një vaksine COVID-19 do të ofrojë mbrojtje të mirë kundër infeksionit Omicron dhe Delta,” tha ai, duke u kërkuar njerëzve që të vaksinohen me dëzën përforcuese.

Irlanda aktualisht po jep vaksina përforcuese për njerëzit e moshës 50 deri në 59 vjeç. Sipas Departamentit të Shëndetësisë, deri më tani në vend janë administruar më shumë se një milion doza përforcuese.

Të mërkurën, qeveria irlandeze miratoi një rekomandim nga Komiteti Këshillimor Kombëtar i Imunizimit për të vaksinuar fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjeç.

Departamenti Irlandez i Shëndetësisë raportoi të enjten 4,022 raste të konfirmuara të COVID-19, duke përfshirë pesë rastet që lidhen me variantin Omicron.

Deri më tani, gjithsej 610,855 njerëz në Irlandë janë infektuar me COVID-19 dhe gati 5,800 prej tyre kanë vdekur nga virusi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb