I emocionuar, në fjalën përshëndetëse në ceremoninë e promovit të librit “50 vjet marrëdhënie me jashtë”, që mban autorësinë e tij, ish-ambasadori Dashnor Dervishi, ndau me të pranishmit përjetimet gjatë kohës që shkruante këtë libër.

Dervishi u shpreh se ka shkruar këtë libër duke u bazuar në shërbimet e mbajtura gjatë veprimtarisë në shërbimet jashtë, në informacionet dhe analizat zyrtare të hartuara për ministrinë e Punëve të Jashtme, si edhe në kujtesën e përshtypjet e mia të kohës.

“Jam vërtetë shumë i nderuar, ndjehem shumë i vlerësuar. Pasi janë hedhur këto shënime, pasi është bërë libri, ardhja juaj këtu fjalët e mira që dëgjova, s’mund të rri indiferent.

Ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj, falënderime për shtëpinë botuese, edhe për ata që s’janë për arsye të ndryshme, edhe pandemia na ka ndryshuar komplet jetën.

Kam hedhur dy faqe reflektim për librin i quaj. Libri është shkruar duke u bazuar në shërbimet e mbajtura gjatë veprimtarisë në shërbimet jashtë, në informacionet dhe analizat zyrtare të hartuara për ministrinë e Punëve të Jashtme, si edhe në kujtesën e përshtypjet e mia të kohës. Ato i përkasin periudhës së fillimeve dhe përfshijnë 20 vitet e para, deri në vitin 1992, të ndara në disa etapa kohore, në këtë botim të parë. Shënimet fillojnë me përshtypjet gjatë kontakteve të para më të huajt, por që kanë shënjuar në dërgjegjen dhe formimin tim gjumë të pashlyeshme duke më ndjekur në cdo hap të punës sime të mëvonshme si diplomat. Ato më tingëllonin aktuale edhe gjatë kohës që i përgatisja për t’i botuar.

Periudha e dytë, i përket veprimtarisë në ndjekje të zhvillimeve në Amerikën Latine dhe të marrëdhënieve të Partisë Shtet me vendet e atij kontinenti. Fillimisht si specialist dhe deri si përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar pranë qeverive të disa prej atyre vendeve Latino Amerikane.

Periudha e tretë i përket Italisë, pavarësisht kohës së qëndrimit prej 4 vitesh, ajo zë vendin më të madh të këtij libri. Sipas kapitujve, shënimet shoqërohen me fotografi dhe dhe dokumenta origjinale të kohës.

Ura e Bushtricës, jo më kot ka zënë kopertinën e librit. Aty mora trenin për t’u  futur në botën e pafundme dhe me shumë të panjohur jashtë kufijve të Shqipërisë.Në atë kohë unë si shumë të tjerë, ishim të bindur se ishte ajo ura më e madhe në rajon e më tej dhe kushdo nga miqtë e huaj që e vizitonin, mburrjet e mia i duartrokiste më lëvdata të pafundme. U ndjeva për herë të parë i zhgënjyer, kur pash urat me përmasa gjigande jashtë vendit, gjë që më ndihmoi për të mos e përsëritur më gabimin dhe mburrjet në raportet me të huajt në karrierën time diplomatike të mëvonshme.

Në punën me Amerikën latine, më krijoi ndjesinë se sa më i vogël dhe i varfër të jetë një vend, aq më shumë pushtetarët e tij krijojmë raporte në përpjestim të zhdrejtë midis marrëdhënieve me të huajt nga njëra anë, dhe popullit të tyre nga ana tjetër duke u deformuar në paranojakë me të parët dhe në arrogant me të dytët.

Kapitujt e Italisë zënë periudhën më interesante. Ishte periudha e viteve 1988-1992 që përfshin vitet e ndryshimeve të mëdah në Europë dhe në Shqipëri. Italia u kthye në qëndrën kryesore të kontaktit të vendit tonë me perëndimin duke e identifikuar atë me botën perëndimore në përgjithësi.  Prej aty u përpoqa të kuptoj c’ndodh me vendin tonë nga këndvështrimi i perëndimit. më vonë kjo gjë u plotësua edhe gjatë qëndrimit tim, në dy prej vendeve tona fqinje, në Turqi e Greqi, me këndvështrimin nga lindja dhe jugu i vendit tonë.

Në Itali vura re se cfarë pozicioni zë vendi ynë në arenën e politikës së jashtme, në hapsirat gjeostrategjike të Europës dhe të rajonit tonë,si dhe rolin tonë në këto hapsira, që shpesh nuk përputhet me idetë dhe qëndrimet e stabilishmentit shqiptar, që ushqen në opinionin e vendit një filozofi dhe mentalitet krejt të kundërt faktorizimi dhe protagonizmi fals për ta shfrytëzuar këtë gjë, thjesht për mbajtjen e pushtetit brenda vendit. Në sloganin ‘Ne drejtojmë e Bota na ndihmon’, është yshqyer ndër vite mentaliteti i gabuar se perëndimi dhe Amerikan kanë nevojë për ne. Ndaj e kanë për detyrë të na ndihmojnë se ne kemi në dorë stabilitetin e rajonit e të tjera si këto. Por më e keqja është se kjo gjë ka kultivuar një farë dembelizmi dhe pritshmërie për cdo gjë nga jashtë, duke fetishizuar ndihmat e huaja në nivel institucional, në të njëjtin nivel me atë që ne vetë duhet të bëjmë në fushën e ekonomisë apo të reformave sociale brenda vendit. Në dekada kjo ka sjellë deformimin në opinionin e vendit për mënyrën e vlerësimit të aftisive apo meritave për qeveritë e radhës.

Duke shërbyer në vendet fqinje të rajonit, është krijuar një vokacion i brendshëm rajonal. Si në perëndim edhe në lindje marrëdhëniet i kanë ndërtuar prej kohësh mbi bazat e qëndrimeve dhe marrëdhënieve tona kryesisht me vendet fqinje dhe cështjes shqiptare në veçanti.

Qëndrimi ndaj cështjes shqiptare, ka përcaktuar themelet e interesave kombëtare të vendit tonë. Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj të drejtave të minoriteteve, kryesisht ato me origjinë nga vendet fqinje, i kanë ndërthuru këto interesa dhe kanë përcaktuar edhe aletatët tanë të mëdhenj strategjikë. Kur politika shqiptare, do të arrijë një faktor të drejtë mes këtyre faktorëve, Shqipëria do të arrijë të bëhet e të kthehet në një vend të sigurtë për investime, pa qenë nëvoja që lidershipi politik të krijojë marrëdhënie apo simpati personale me udhëheqës të rëndësishëm politikë nëpër botë.

Së fundmi, kontaktet me fenë e përfaqësuesit e besimeve të ndryshme fetare, pasqyrohen deri diku në libër. Besimi në vetvete për të bërë diçka për vete dhe për Shqipërinë nis në praktikimin e riteve fetare në institucionet e kultit, të ndërtuara me kontribut të brendshëm nga besimtarët e komuniteteve lokale të cdo feje, dhe jo duke u falur në kishat e xhamitë e ngritura nga të tjerët në formë ndihme. Në këtë mënyrë ne nuk do mbetemi si deri tani në anë të rrugës, në pritje të Godosë, duke ëndërruar realizimin e premtimeve për të ngrënë me lugë florir, për financime me cekun e bardhë, për investimet me planin marshall etj..” u shpreh Dervishi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb