Nga ERMELINDA HOXHAJ*

Provimi i shtetit, i cili u jep të drejtën studentëve të pajisen me licencë për ushtrimin e profesionit, tregon se niveli i tyre është i pakënaqshëm. Një pjesë e madhe e studentëve nuk arrijnë të mbrojnë diplomën, të cilën e kanë marrë pas disa vitesh studime universitare. Edhe nga të dhënat e testimit të provimit të shtetit për muajin nëntor-dhjetor 2014, por edhe në ditët e para të testimit për infermierët këtë muaj, rezulton se një përqindje shumë e madhe e studentëve që i janë nënshtruar provimit nuk kanë dalë me sukses. Nga provimi i shtetit për mësuesit, rezultoi se 47% e tyre nuk arritën të kalonin, ndërsa për mjekët dhe stomatologët që u testuan në dhjetor rezultoi se kanë kalueshmëri mbi 95%, ndërsa Farmacia kishte nivel më të lartë mbetësish. Ndërkohë që, testimi i infermierëve, që është duke u zhvilluar këto ditë dhe do vijojë deri në datën 26 janar, në dy ditët e para të testimit rezultoi se kandidatët kanë nivel të ulët, pasi kanë kaluar më pak se gjysma e tyre. Ndërsa për sa u përket rezultateve, mbizotëronin nota 5 dhe 6.

Provimit dhe rezultatet
Në sezonin e dhjetorit i janë nënshtruar provimit të shtetit gati 1200 kandidatë. Rreth 800 ishin studentë që kanë mbaruar studimet në Mësuesi, mbi 300 në Farmaci dhe pjesa tjetër në Mjekësi dhe Stomatologji, ndërsa 1200 kandidatë në Infermieri kanë nisur provimin e shtetit në 19 janar dhe do ta përfundojnë në 28 janar. Sipas të dhënave të AKP-së, kalueshmërinë më të lartë e kanë pasur studentët e Mjekësisë, me kalueshmëri gati 95%, si dhe stomatologët, me kalueshmëri 91%. Ndërsa farmacistët kanë pasur një nivel kalueshmërie më pak të kënaqshëm, pasi më shumë se gjysma e tyre nuk kanë arritur ta kalojnë me sukses provimin e shtetit. Po ashtu, nivel të dobët kanë pasur edhe mësuesit, ku gati gjysma e tyre nuk ka arritur ta kalojë me sukses këtë provim. Por pritet që pasqyra e plotë e të dhënave të përmbyllet me rezultatet e Infermierisë, pasi këta janë edhe kandidatët që dalin më dobët në provimin e shtetit, ku kalueshmëria e tyre arrin deri në 30-40%. Provimi i shtetit është ‘sita’ ku kandidatët e profesioneve të rregulluara kalojnë para se të hyjnë në tregun e punës, pasi kandidatët që nuk arrijnë të marrin provimin, nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre. Ajo që spikat, sipas specialistëve të Agjencisë Kombëtare të Provimit, është se kandidatët që testohen për herë të parë kanë një kalueshmëri më të lartë, deri në 60%, ndërsa kandidatët që testohen për herë të dytë, të tretë apo të katërt kanë një kalueshmëri më të ulët, deri në 40%.

Studentët e Universitetit të Durrësit, MAS: Në 28 janar do japim një përgjigje

Studentët e Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, në degën Ekspertë të Procesit të Formimit, të cilët protestuan fillimin e kësaj jave, në datë 28 janar, do mund të marrin një përgjigje për sa i përket diplomës së tyre. Ministria e Arsimit ka informuar se në datë 28 janar do t’u jepet një përgjigje studentëve në lidhje me shqetësimin që ata ngrenë, ku kryesorja është mosnjohja e diplomës së tyre nga tregu i punës dhe përfshirja e tyre në provimin e shtetit. Pasi sipas studentëve, duke qenë së ata përfundojnë studimet në Fakultetin e Edukimit dhe kanë të njëjtat programe si mësuesit, duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit për të marrë licencën e ushtrimit të profesionit. Që nga vitit i hapjes së këtij programi studimesh dhe deri më tani janë rreth 800 studentë, të cilët kanë mbaruar studimet dhe po përballen me papunësinë, pasi nuk po hynë dot në tregun e punës. Sipas studentëve, fakti se nuk japin provimin për marrjen e licencës së ushtrimit të profesionit i përjashton nga tregu i punës. Ministria e Arsimit për këtë program studimi edhe në vitin 2014-2015 ka miratuar kuota, kështu që këtyre studentëve të papunë, edhe në vitin që vjen dhe atë në vijim do t’u shtohen kandidatë që nuk dinë se ku të drejtohen për punë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb