NGA DORJANA BEZAT*
TIRANE- 2 paciente humbën jetën dhe rreth 25 të tjerë janë plagosur e asfiksuar si pasojë e një zjarri të qëllimshëm në Repartin e Hemodializës në një spital privat, në Tiranë. Viktimat janë Sanie Sulaj, 55 vjeç, nga Mamurrasi, e cila ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë, dhe Hani Mali 55 vjeç nga Laçi e cila u gjet poshtë një shtrati, e karbonizuar.

Shkak i zjarrit ka qenë një sherr mes dy pacientëve, pas të cilit njëri ka tentuar të djegë tjetrin brenda dhomës së Hemodializës. Sipas Policisë, zjarri është vënë nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç, pas një konflikti me pacientin D.Saraçi 47 vjeç. Autori i zjarrvënies Lefter C. pasi ka mbaruar dializën ka shkuar në dhomën e shtetasit D.Saraçi, ka nxjerrë nga qesja një bidon me lëndë djegëse, e ka spërkatur atë dhe më pas i ka vënë flakën.

Me ndërhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin, të cilët janë në spital në gjendje të rëndë. Aktualisht shtetasi D.Saraçi ndodhet i shtruar në sallën e reaminacionit pranë Spitalit Ushtarak, kurse autori i dyshuar ndodhet i shtruar në një spital privat, që të dy në gjendje shumë të rëndë. Zjarrfikësit të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje, bënë të mundur neutralizimin në kohë të flakëve dhe nxjerrjen e pacienteve dhe stafit nga pavioni. 25 personat e asfiksuar, pacientë, të afërm dhe punonjës të stafit po trajtohen në spitalin e traumës në Tiranë në gjendje të stabilizuar. Ndërkaq policia po punon për zbardhjen e plote te ngjarjes.

DËSHMIA
News24 zbardh një pjesë të dëshmisë së shënjestrës së autorit të zjarrvënies së sotme në spitalin privat.

Mësohet se D. Saraçi ka deklaruar për grupin hetimor se nuk ka pasur konflikte me autorin Lefter Ç.

Të njëjtën gjë kanë pohuar edhe dëshmitarë të ngjarjes. Ata kanë thënë se autori dhe Saraçi, kanë patur 2 ditë më parë një konflikt për motive të dobëta, kanë debatuar për politikë.
“Nuk kam konflikte apo hasmëri me Lefterin”, është shprehur D. Saraçi.

SI NDODHI NGJARJA
“Tiranë, më datë 25.07.2016, rreth orës 11:00, tek spitali Amerikan, në SQU, në brendësi të pavionit të Hemo-Dializës, ka rënë zjarr.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet policore dhe zjarrfikset të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Shërbimet e komisariatit të Policisë nr 3 nxorrën jashtë godinës pacientët që ndodheshin brenda.
Nga veprimet paraprake te grupit hetimor i cili ndodhet në vendin e ngjarjes dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç.
Dyshohet se ka lindur një konflikt midis dy shtetasve Lefter.C dhe shtetasit D.Saraçi, 47 vjeç.

Shtetasi Lefter.C pasi ka mbaruar dializen ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S, ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin D.S dhe me pas i ka vënë zjarrin.
Me nderhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin.

Shtetasi D.Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim dhe në të njejtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë.

Aktualisht shtetasi D.Saraçi ndodhet i shtruar në sallën e reaminacionit pranë spitalit Amerikan 1, kurse autori i dyshuar ndodhet në spitalin American 2. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes’.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb