TIRANE- 5720 hektarë tokë bujqësore, banesa dhe rrugë u përmbytën në të gjithë Shqipërinë si pasojë e reshjeve të rëna në dy ditët e fundit, por fatmirësisht nuk janë shënuar viktima. Por duke filluar që sot e dy ditët në vazhdim reshjet pritet të ndalin, e për pasojë uji po tërhiqet nga zonat e përmbytura.

1290 hektarë tokë janë përmbytur në qarkun e Tiranës, 1700 ha në Durrës, 1080 në Lezhë, 1 mijë hektarë tokë në Fier, 110 hektarë në berat dhe 90 hektarë në Dibër. Situata më kritike mbetet në Durrës, veçanërish në Sukth ku janë përmbytur 250 të mbjella si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen. Në njësinë Administrative Katund i Ri janë përmbytur po ashtu rreth 250 ha toka të mbjella.

Në Ishëm janë përmbytur rreth 200 ha tokë bujqësore në fshatrat Kapidanaj dhe Gjuricaj si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Ishëm. Përmbytje të mëdha ka dhe në Spitallë e Xhafzotaj përkatësisht nga 100 hektarë të përmbytura, si dhe në bubq rreth 20 hektarë të mbjella.

Në Tiranë situata vazhdon të jetë problematike sidomos mbi urën e Laknasit. Lumi i Tiranës ka bërë gërryerjen e tokës së mbjellë me pemtore në një sipërfaqe prej 200m². Në Rrogozhinë janë përmbytur 350 ha tokë bujqësore, në Sinaballaj të Kavajës janë përmbytur 110 ha tokë bujqësore.

Edhe në Lezhë situata është e vështirë si pasojë e daljes nga shtrati e lumit Gjadër dhe Drin duke shkaktuar përmbytje në Dajç, Balldre, Torovicë ku rezultojnë mbi mijë hektarë tokë nën ujë. Në fshatin Pllane janë 13 familje të përbytura dhe 3 familje të evakuara. Në rrethin e Fierit janë nën ujë 750 ha tokë. Në Qarkun Berat në të treja rrethet Berat, Kuçovë dhe Skrapar nga informacionet e marra nuk ka situata problematike, por prurja e lumit Osum është duke u shtuar, ndërsa në qarkun e Dibrës, deri tani ka rreth 90 hektarë tokë të përmbytur.

Raportohet se në Shijak, ku 40 familje u evakuuan si pasojë e përmbytjes së banesave të tyre, uji ka nisur të tërhiqet. Dalja e lumit Erzen nga shtrati solli mjaft probleme për shijakasit, ndërsa sot Bashkia ka mbledhur Shtabin e Emergjencave për të nisur verifikimin e dëmeve dhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore.

Sakaq edhe lumi Shkumbin është kthyer në shtratin e tij, duke sjellë përmirësimin e situatës në fsahtrat e Lushnjes dhe Elbasanit, Kavajës ku mijëra hektarë u përmbytën. Po punohet për riparimin e argjinaturës së lumit, pastrimin e zonës dhe bërjen e bilancit të dëmeve.

POGRADEC, SHEMBET URA E KOMUNËS DARDHAS, KAPRI: BASHKIA PRANË FAMILJEVE NË NEVOJË

Reshjet e dendura te shiut përgjatë ditëve të fundit në juglindje, kanë shkaktuar probleme në disa zona të Pogradecit. Si pasojë e reshjeve dhe fryrjes së lumit Devoll është shembur rruga lidhëse e komunës Dardhas me 6 fshatra, ndërsa 4 banesa rrezikojnë të shemben si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Banorët thonë se nuk kanë ku të shkojnë ndaj detyrohen të qëndrojnë brenda banesave të tyre edhe pse rreziku është i madh.

Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri, i cili ka parë nga afër problemet e zonës, bëri të ditur marrjen e masave për ndërtimin e një muri mbrojtës dhe mbushjen e rrugës.

“Po shket gjithë rruga, përbën një rrezik të madh. Ka shkarë muri mbajtës, dhe gradualisht po bllokohet gjithë rruga. Nga ana e Bashkisë po merren të gjitha masat që të paktën këtë rrugë ta bëjmë të kalueshme, në mënyrë që të mos bllokohet qarkullimi i banorëve. Sot jemi në kushtet e një emergjence. Bashkia e Pogradecit është në vështirësi të madhe financiare dhe nuk kemi mundësi të realizojmë një projekt të mirfilltë për rehabilitimin e kësaj pjese rruge. deri tani për bashkinë e Pogradecit nuk ka ardhur asnjë ndihmë monetare, as logjistike. kemi kërkuar të na mbështesin të paktën me makineri të rënda, të cilat Bashkia e Pogradecit nuk i disponon, deri tani nuk ka ardhur asnjë ndihmë.”- deklaroi Eduart Kapri.

Si pasojë e reshjeve të shiut vijon të ketë probleme aksi Lozhan-Mesmal ku rrëshqitjet e dherave dhe gurët kanë bllokuar rrugën duke izoluar 6 fshatra.

JA SHKOLLAT KU ËSHTË NDËRPRERË PROCESI MËSIMOR
Si pasojë e përmbytjeve, në disa shkolla është ndërprerë dhe procesi mësimor. Sipas informacioneve që disponon News 24, në Pllanë të Lezhës nuk është zhvilluar mësimi, pasi oborri i ndërtesës është përmbytur. Sakaq, në Zejmen mësimi u bë me orar të reduktuar, pasi oborri i shkollës ishte grykë lumi.

Ndërkohë, problematike është situata dhe në Fier, ku oborret e dy shkollave në Levan u mbushën nga uji. Ndërkohë, në Grazhdan të Gramshit ka mungesa të nxënësve për shkak të rrugës, ndërsa në fshatin Gribë mësimi i të martës do të zhvillohet të shtunën.

INFORMACIONI PËR SITUATËN NË SHKOLLA
QARKU LEZHË:
-Në shkollën 9-vjeçare Pllanë, nuk është zhvilluar mësim pasi oborri ka qenë i tejmbushur me ujë.
-Në shkollën e Mesme të Bashkuar Zejmen mësimi është zhvilluar me orar të reduktuar
-Oborri i shkollës Gryke Lumi është i mbushur me ujë
-Në shkollat e tjera procesi mësimor është zhvilluar!
-2 shkolla në Fier kanë përmbytje në komunën Levan në pjesën e oborrit të shkollës.

GRAMSH
-Në shkollën e Grazhdanit, e cila me disa lagje nuk komunikohet për mungesë urash në përrenjtë e tyre dhe për rrjedhojë ka patur mungesa të nxënësve. Dje në arsimin e mesëm të ulët të kësaj shkolle kanë munguar 26 nxënës (klasa VI-IX).
-Shkolla e arsimit të Mesëm te Ulët (AMU) Gribë do të zhvilloj ditën e shtunë dt. 09.01.2016 mësimet e ditës së martë pasi në këtë ditë mësimi nuk u zhvillua për efekt të përmbytjes së një rruge që lidh Gramshin me këtë fshat.
Në ato shkolla ku ka patur probleme me energjinë, përmbytje të oborrit, apo në zona të thella ku për arsye të problemeve me infrastrukturën rrugore (akse, ura) ka patur probleme, mësimi nuk është zhvilluar ose është zhvilluar me orare të reduktuara.
Ndërkohë, që në pjesën më të madhe të shkollave për arsye sigurie janë marrë masat që mësuesit të shoqërojnë fëmijët pas mësimit në shtëpitë e tyre.
Sot situata është paraqitur e normalizuar ne pothuaj të gjithë vendin. Në shkollat ku nuk është zhvilluar mësim, ai do të zëvendësohet në ditët në vijim.

VIJON ANGAZHIMI I FA NË OPERACIONIN PËR PËRBALLIMIN E SITUATËS SË PËRMBYTJEVE
Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin e tyre në operacionin e përballimit të situatës së krijuar nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit.

Aktualisht janë të angazhuara 105 forca në vendet ku paraqiten probleme. Komanda e Mbështetjes Rajonale, me kërkesë të bashkisë së Tiranës, ka nisur punën për rehabilitimin e urës së Zall-Bastarit e cila lidh 12 fshatra me kryeqytetin.

Krahas efektivëve, FA kanë në terren mbi 32 mjete të ndryshme duke nisur që nga mjetet e transportit me kalueshmëri të lartë, fadroma, ekskavator, gomone uji, varka, pompa, rimorkiatorë, autobotë, etj.

zall-bastar5

MPB: LUMENJTË JANË TËRHEQUR, POR PUNOHET PËR LARGIMIN E INERTEVE
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, situata e zonave të prekura nga moti i keq i dy ditëve të fundit është duke u stabilizuar nga ora në orë. Të gjithë ujërat sipërfaqësore që erdhën si rezultat i daljes së prurjeve të lumenjve jashtë shtratit të tyre janë tërhequr dhe në pjesën më të madhe të tokave bujqësore dhe oborret e banesave kanë mbetur vetëm aluvione dhe inerte. Strukturat përgjegjëse po bëjnë gjithçka është e mundur për të lehtësuar rrugët dhe largimin e ujërave, si dhe sigurimin e strukturave  mbrojtëse, argjinaturave, etj.

Në bazë të informacioneve deri në orën 11.00 situata paraqitet si më poshtë:

QARKU FIER
Ditën e sotme në të gjithë qarkun e Fierit situata po shkon drejt përmirësimit. Në zonën e njësisë administrative Çermë, ujërat janë tërhequr, përveç grykëderdhjes të lumit Shkumbin, ku argjinatura fundore vazhdon të jetë e pambyllur. Në këtë zonë ka rreth 120 banesa të përmbytura nga Njësia Administrative Çermë dhe Tërbuf. Gjithashtu përgjatë rrugës nacionale Çermë-Divjakë shumë nga banesat u rrethuan nga uji.

Në rrethin e Lushnjës uji ka filluar të tërhiqet në shtratin e lumit dhe tokat bujqësore kanë prezencë vetëm të aluvioneve sidomos në njësinë administrative Çermë. Po punohet për hapjen e tombinave të rrugës kombëtare pranë fshatit Çermë.

Të gjitha familjet që ishin në rrezik janë të evakuuara. Mjetet e bashkive Lushnjë dhe Divjakë, si dhe disa nga ato të ushtrisë, janë në terren dhe po punojnë të mbyllin argjinaturën e dëmtuar.

QARKU DURRËS
Gjatë orëve në vazhdim, pas ndërprerjes së reshjeve, situata në qarkun e Durrësit është përmirësuar dhe niveli i ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm ka shkuar në shtratin e tyre.

Në Bashkinë e Shijakut dhe të Sukthit ka vazhduar puna nga fadromat e ushtrisë  për pastrimin e rrugëve të qytetit nga aluvionet dhe inertet që solli përmbytja. Janë shpërndarë gjithashtu ndihma për rreth 250 familjet e evakuuara. Aktualisht hidrovoret funksionojnë normalisht.

QARKU TIRANË
Në qarkun e Tiranës janë ndërprerë reshjet dhe situata është përmirësuar dhe po shkon drejt normalitetit. Gjatë orëve në vazhdim prurjet në lumin e Lanës janë ulur dhe ujërat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë dhe lagje të Bashkisë të Tiranës.

N/PREFEKTURA KAVAJË
Në njësinë administrative Gosë, situata po shkon drejt përmirësimit. Problem mbeten tokat bujqësore përgjatë lumit Shkumbin, ku si pasojë janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore në fshatin Kalush. Hidrovorët funksionojnë normalisht dhe me kapacitet të plotë.

QARKU ELBASAN
Në të gjithë qarkun nuk ka banesa me prezencë uji. Gjithashtu ujërat janë drejt tërheqjes së plotë edhe nga tokat bujqësore.

Aksi rrugor Cërrik – Gramsh është i pakalueshëm sepse në pjesën e poshtme është rritur niveli i liqenit të H/C të Banjës, por funksionon rruga e sipërme Llixhat-Gramsh dhe me riparimin e urës së dëmtuar në stacionin e pompimit Çekin, aksi Elbasan-Gramsh nuk ka ndërprerje të qarkullimit të mjeteve.

Në aksin Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Xibrakë, janë larguar inertet dhe qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht në të dy senset.

Në hyrje të qytetit të Peqinit nga aksi Rrogozhinë – Peqin është dëmtuar ura e varur që lidh Peqinin me fshatin Budlis, Njësia Administrative Pajovë, Bashkia Peqin.

Prurjet e lumit Shkumbin kanë rënë dhe ujërat janë tërhequr në shtratin e tyre. Në gjithë zonat anës lumit Shkumbin, nga Elbasani deri në Rrogozhinë, nuk ka prezencë uji.

QARKU LEZHE
Situata është e përmirësuar. Akset rrugore janë të kalueshme plotësisht. Në aksin e vjetër rrugor Lezhë-Zejmen-Pllanë ka prani të ujërave sipërfaqësore. Gjithashtu edhe në disa fshatra si Spiten, Zejmen, Markatomaj dhe Pllane.

Ujërat nga qyteti i Lezhës janë tërhequr. Situata në këtë Bashki po shkon drejt normalizimit. Hidrovoret në Tale dhe Ishull Shëngjin punojnë me kapacitet të plotë.

Në rrethin e Mirditës mbetet problem ura e Cekajve që lidh Rrëshenin me zonën e Kaçinarit, e cila është e pakalueshme sepse ende ka rreth 1 metër uji mbi nivelin e saj.

QARKU BERAT
Aktualisht reshjet janë ndërprerë dhe niveli i lumenjve është në rënie.

Në Bashkinë Berat është bllokuar nga rrëshqitjet e dherave, segmenti Rabjak-Karkanjoz dhe po punohet me mjete për hapjen e këtij segmenti rrugor.

Në bashkinë Skrapar segmenti nga rruga nacionale deri në fshatin Therepel, Njësia Administrative Vendreshë, është i kalueshëm pas ndërhyrjes. Në Bashkinë Kuçovë është dëmtuar ura në fshatin Lumas dhe është ndërprerë qarkullimi i mjeteve.

QARKU DIBËR
Gjatë orëve të fundit në këtë qark nuk ka patur reshje. Në Fushë Bulqizë ujërat në toka bujqësore po largohen si rezultat edhe i punës së bërë nga fadromat që pastrojnë kanalet e kullimit.

Situata problematike në fshatit Gjoricë e Poshtme është normalizuar. Aksi rrugor nacional Lurë-Kurbnesh – Rëshen është dëmtuar në vendin e quajtur “Përroi  i Gjeologjisë”, ku po punohet me fadroma dhe situata është drejt përmirësimit.

Në Bashkinë Klos, Njësia Administrative Xibër, janë dëmtuara dy ura në fshatin Xibër Hane dhe një urë në Xibër Murrizë. Akset rrugore kombëtare janë të kalueshme dhe po monitorohen nga shtabi i Emergjencave të Prefekturës, Bashkive dhe Policia rrugore.

QARKU KORÇË 
Reshjet e shiut kanë dëmtuar një pjesë të rrugës në Njësinë Administrative Dardhas në Bashkinë e Pogradecit. Për momentin qarkullimi në këtë aks është i bllokuar.

QARKU SHKODËR
Në aksin rrugor Fierzë – Fushë Arrëz në fshatin Mishka janë larguar inertet nga segmenti rrugor dhe është rivendosur qarkullimi i mjeteve.

Edhe aksi rrugor Pukë-Iballë është i kalueshëm me dy sense për shkak të largimit të inerteve. Aksi rrugor Qafë Thore-Bogë-Theth ende vazhdon i pakalueshëm, kurse në aksin Qafë Mali – Fierzë po punohet për normalizimin e situatës.

MINISTRIA E BUJQËSISË: VAZHDON TËRHEQJA E UJËRAVE
Në të gjithë territorin e vendit kanë rënë reshje të shumta shiu dhe në disa zona me intensitet të lartë si në Lezhë, Dibër, Durrës, Elbasan etj.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, gjatë dy ditëve të fundit ka pasur rritje të prurjeve të lumenjve dhe përrenjve malorë e për pasojë edhe përmbytje të tokave bujqësore. Lumenjtë Drin i Zi në zonën e Bulqizës, Ishëm dhe Zezë në zonën e Fushë-Krujës dhe Erzeni dolën nga shtretërit e tyre.

Sipërfaqja e përmbytur në zonën e Lezhës arriti në rreth 1500 ha, ndërsa në zonën e Ishmit rreth 300  ha. Në zonën e Elbasanit në ish-komunën Shushicë niveli i ujit në një rezervuar kapërceu kurorën e digës, por me masat e marra nga Bordi i Kullimit Elbasan situata u normalizua plotësisht pa asnjë pasojë.

Prurjet në lumin e Shkumbinit arritën nivele maksimale, u dëmtua një argjinaturë mbrojtëse në zonën e Çermës Lushnjë, duke bërë që uji të përhapet me shpejtësi në një sipërfaqe prej rreth 500 ha. Është duke u punuar për riparimin e saj edhe me ndihmën e forcave të ushtrisë.
Po kështu, nga dalja nga shtrati i lumit të Erzenit u shkaktuan përmbytje në rreth 3000 ha tokë.

Gjatë natës dhe aktualisht po vazhdon tërheqja e ujërave nëpërmjet rrjeteve të kanaleve kulluese në të gjithë zonat e përmbytura. Të gjithë hidrovoret kanë punuar me kapacitet të plotë dhe nuk ka munguar furnizimi me energji elektrike.

Nga Bordet e Kullimit po monitorohen pa ndërprerje argjinaturat mbrojtëse dhe digat e rezervuarëve në të gjithë territorin e vendit duke marrë edhe masat përkatëse në zonat më të rrezikuara.

SHEMBET URA NE KUKUR, SHPETON MREKULLISHT AUTOBUSI
Ndërkohë në Gramsh, një autobus ka shpëtuar mrekullisht pa rënë në lumë, pasi është shembur ura në hyrje të fshatit Kukur. Shembja e urës ka ardhur vetëm pak minuta pasi kaloi autobusi i linjës Kukur-Gramsh, për shkak të gërryerjes nga rrjedha e lumit.

Pas ndërprerjes së djeshme për shkak të motit, në disa fshatra është rikthyer mësimi, ndërkohë që në disa të tjerë nuk po zhvillohet as sot mësim.

ARRSH: JA GJENDJA E RRUGËVE
Autoriteti Rrugor Shqiptar sjell një panoramë të rrugëve në tre rajonet: ate verio, qendror dhe jugor. Nga komunikimi me specialistët e Drejtorive të Rajoneve, ARRSH pohon se situata në akset kombëtare paraqitet si më poshtë.

Në Drejtorinë e Rajonit Verior Shkodër

Sot gjendja e akseve në këtë Drejtori paraqitet më e mirë. Në akset ku ka rënie të gurëve e dherave në rrugë, janë marrë masat për pastrimin e akseve. Në zonat me hije, ku ka formim të ngricave, është bërë spërkatja e këtyre segmenteve me kripë. Vazhdon të jetë i bllokuar aksi Qafë Shllak – Fierzë,  për shkak të një shkëputjeje të trupit të rrugës me 25 ml. Në këtë aks është nisur një grup specialistësh të ARRSH-së. Të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe njerëz.

Në Drejtorinë e Rajonit Qendror Tiranë

Edhe sot po vazhdon puna për pastrimin e plotë të shkarjes masive në Xibrakë. Për momentin rezultojnë të bllokuara segmenti rrugor Banjë-Drizë, kurse segmentet Elbasan-Gjinar dhe Drizë-Gramsh janë me një kalim.

Në akset e Qarkut të Tiranës, problematike është situata në Dobresh dhe qarkullimi është i bllokuar në aksin e vjetër Tiranë – Elbasan. Qarkullimi kryhet nga aksi i ri. Në aksin Qafë Priskë-Shëngjergj qarkullimi kryhet me një kalim, si pasojë e shembjes së trupit të rrugës.

Në Drejtorinë e Rajonit Jugor Gjirokastër

Nuk ka probleme në të gjitha akset e këtij Rajoni. Në akset e Qarkut të Korçës ku ka patur ngrica, është bërë spërkatja me kripë. Të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri për çdo situatë.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb