Përmes një shkrimi të ndjerë kushtuar eruditit Moikom Zeqo, ish deputeti i PS-së Bardhyl Agasi, kujton ish-kolegun dhe mikun e tij, të ndarë nga jeta vetëm dy ditë më parë.

Në kujtimet e tij, Agasi sjell në vëmendje kujtime e momente që datojnë nga dhoma e konviktit, sic shkruan ai, e më tej në sallën e parlamentit.

Nga Bardhyl Agasi

Ende nuk më besohet që fryma jote është ndalur. Dhe në mëngjesin e sotëm doja të të merrja në tel,por…ti Moikomi im, shoku im më i afërt, prej gati 58 vitesh për herë të parë nuk do të më përgjigjeshe. U lidhëm bashkë që në fëmijëri, në rrethin letrar të shtëpisë së pionierit në Durrës dhe që atëherë kemi qenë bashkë gjithmonë, bashkë në bregun e detit në Currila, bashkë deri në bisedën e fundit katër ditë para ndarjes tënde, kur në telefon me the se kishe mbaruar plotësisht seancën e fundit të inxheksionit, se kishe pak temperaturë por që ishe mirë. Në cdo takim., në cdo bisedë,në cdo takim kur më tregoje se po punoje pa pushim për të përfunduar një libër të ri, gjithmonë të këshilloja të mos lodheshe aq shumë, se shëndeti ish mbi gjithcka, Por e dija se ti e ndjeje se fundi po vinte dhe një herë më the se doje të leje pas sa më shumë nga vepra jote. Po kush tjetër ka shkruar kaq shumë, mbi njëqind libra, mbi mijra artikuj, intervista të panumërta, qindra mijra vargje, në sa e sa konferenca e forume u dëgjua zeri yt, u lartësua mendimi yt. Isha bashkë me ty në në konvikt studentor, pastaj në një kolektiv të qendrës kulturore në Durrës, katër vite në një tryezë në parlament. Rrija me ty dhe ndjeja si lartësoheshe cdo ditë, ndjeja se nuk ishe thjeshte shok për mua, por dhe një mësues mendjendritur. Ishe ti Moikomi im që i dhe drejtim tjetër jetës sime, që më nxite të jem në politikë, që më nxite të shkruaj dhe të botoj disa libra që kanë dhe parathëniet e tua. Ishe ti që nga tribuna e Kongresit bashkë me Dritëroin e madh shpalosët platformën e një partie të re me të ardhme për fatet e demokracisë. Gjatë pushimit, para se të merrje fjalën ti më lexove diskutimin që kishe përgatitur. Më ra si bombë. Të thashë se duhej ta zbusje, se nuk do të pritej mirë, por zëri yt kumboi në atë sallë. Ai zë do të kumbonte dhe në foltoren e parlamentit, në diskutimet plot mencuri dhe kurajo qytetare. Grupi i deputetëve të Durrësit, socialiste dhe demokrate ishim bërë shembull për mirëkuptimin mes tyre, ishte fryma jote. Ti lartësoheshe cdo ditë me veprën tënde, fitoje respektin e të gjithëve. Mendimi yt, fjala jote rrezatonin dritë, besim, dashuri. Ti u bëre Rilindas i madh i kohës sonë, ti u bëre Naim Frashër i diturisë, u bëre Migjen i realitetit tonë, u bëre Moikomi i madh atdhetar. Dhe mbete gjithmonë po ai Moikom i thjeshtë, i dashur, shok dhe mik i të gjithëve, familiar shembullor
Në një poezi të kushtuar ty , në një libër timin në fund të pyesja
,,,Të pakten tregomë mua,
Mos je alien Moikom,,,
Por ti ishe më tokësori, më i vërteti, më i thjeshti, më largpamësi, vizionar gati profetik, por që ngjiteshe e ngjiteshe lartësive qiellore. Dhe në mëngjesin e këtij qershori aq të trishte ti u ngjite përfundimisht në qiellin e pafundësisë të veprës tënde.. Jam krenar që isha shok i yti, lindur në të njejtin vit, në të njëjtin qytet, në Durrësin tonëe bregdetar, që aq shumë e doje, që aq të dhimbsej, që e bëre tëndin në të gjithë veprën tënde.
Lamtumirë Moikomi im…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb