VLORE – Gjashtë persona kanë përfunduar në pranga gjatë një superaksioni antidrogë të ndërmarrë ditën e djeshme nga policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe FNSH-në e Fierit. Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë (afro 2 orë larg zonave të banuara), janë gjetur dhe sekuestruar në gjashtë kasolle plot 2.000 rrënjë kanabis sativa në proces tharjeje si dhe 5.250 bimë të mbjella në një parcelë, ende e pakorrur. Ndërkohë, bëhet me dije se është shpallur në kërkim agjenti i Antikrimit Ekonomik, Renaldo Avduli. Gjatë superaksionit antidrogë, janë gjetur dhe armë e municione në vendngjarje.

OPERACIONI
Parcelat me kanabis nuk kanë të sosur. Me gjithë masat e marra nga policia dhe aksionet e njëpasnjëshme në zona të ndryshme të vendit, trafikantët e drogës vijojnë aktivitetin e tyre. Një sasi e madhe droge është zbuluar dhe asgjësuar në Vlorë. Pas informacioneve të sakta të siguruara në rrugë operative, blutë e qytetit bregdetar kanë mësyrë në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë. Pikërisht në këtë territor janë gjetur gjashtë kasolle ku thahej hashashi si dhe një parcelë e pakorrur. Aty janë ndërtuar rezervuarë të vegjël që përdoren për ujitje, një sistem vaditës dhe vendet për të tharë dhe paketuar lëndën narkotike. Konstatimi i kanabisit çoi në gjurmët e gjashtë trafikantëve.

ARRESTIMI
Operacioni antidrogë në Vlorë është finalizuar me prangosjen e gjashtë personave, të cilët u kapën teksa ishin duke konsumuar kafe në një lokal. Momenti i arrestimit të tyre ngjante me një skenë filmi, pasi sapo kanë hyrë policët e armatosur dhe të maskuar, njëri nga trafikantët është ngritur në këmbë. Blutë e Vlorës e kanë neutralizuar menjëherë dhe e kanë shtrirë në tokë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës pohuan se personat e arrestuar në lokal janë: Shkëlqim Koçiaj, 24 vjeç, banues në fshatin Dushkarak, Vlorë; Arjan Hasanaj, 43 vjeç, banues në Vlorë; Klajdi Imeri, 21 vjeç, banues në Vlorë; Taulant Haxhiraj, 35 vjeç, banues në Vlorë; Albert Aliaj, 53 vjeç, banues në fshatin Drizar, Mallakastër si dhe Xh.B., 18 vjeç, banues në Vlorë. Në vendngjarje, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2 automatikë, 1 pushkë, 2 krehra me 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm; veshje dhe sende të tjera të cilat shërbejnë si provë materiale. Ndërkaq, policia dhe prokuroria janë duke punuar intensivisht për zbulimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: