Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në vlerësimin e disa figurave të njohura dhe kontribuese nga Përmeti, duke përcjellë mesazhe falënderimi dhe inkurajimi për punën dhe shembullin e tyre në komunitet.

Në fjalën e tij gjatë takimit, Rama tha se ndihet i nderuar të jetë në këtë mbrëmje, e cila është organizuar për të vlerësuar me një shenjë respekti ata që janë krenaria e komunitetit.

“Natyrisht në Përmet një vend me një traditë të mirënjohur urtësie dhe pune, krenaritë e komunitetit janë shumë por unë kam, bindjen që Alma dhe Mirela kanë ditur të përzgjedhin, jo për të veçuar një grup njerëzish nga të tjerët por përmes tyre për t’i dhënë një mesazh të gjithë të tjerëve sipas fushave e kategorive që ju përfaqësoni, mesazh vlerësimi, mirënjohje, respekti sepse jetojmë në një kohë gjithmonë më të çuditshme, ku gjithmonë e më shumë vendin kryesor të vëmendjes e zënë kotësirat dhe gjërat e gjithmonë e më sipërfaqësore”, tha Rama.

“Ndërkohë që ka gjithmonë e më pak përqendrim e gjithmonë e më pak vëmendje për të lexuar më shumë se sa tituj se sa ikona të ndryshme nëpër pasqyrat e telefonave e për të shkuar përtej fotografive, imazheve, përshtypjeve të shpejta. Por edhe këtë kohë dhe në të gjitha kohët ata që bëjnë ndryshimin ata që i japin jetë gjërave të mira janë ata që janë më shumë se kaq janë më shumë se sa imazh, tituj, sesa vendi kryesor në një botë sipërfaqësore”, nënvizoi Rama.

Rama u shpreh se “sot kam kaluar një ditë shumë të mirë dhe me një kënaqësi të veçantë sepse u ndjeva sikur isha në një qytet tjetër nga ai që kam njohur e parë këtu e jo shumë vite më parë”.

“E thashë edhe në një takim në 200 metra te Pedonalja kam dëgjuar disa gjuhë të huaj kam takuar disa turq, të cilët më njohën dhe erdhën, kam takuar amerikanë dhe kam parë edhe miq gjermanë. E paimagjinueshme në një vend nga ku deri para ca vitesh të gjithë donin të iknin ku nuk bëje dot 100 metra pa shmangur një gropë, godinat kishin shëmbëlltyrën e një rrënimi të vazhdueshëm, ku e gjithë ajo fama e Përmetit si qyteti i trëndafilave ngjante si një legjendë e antikitetit”, tha Rama.

“Pastaj pata kënaqësinë të takoja një legjendë të gjallë, jo të Përmetit po të Shqipërisë, por edhe të Përmetit sepse natyrisht vjen nga kjo zonë, Gaz Çaçin që ju e njihni shumë mirë, i cili ka luajtur një rol në jetën time të mëparshme kur unë isha sportist edhe më ka nxitur me shembullin e tij, pavarësisht se nuk luanim në një skuadër, më ka ushtruar presion me atë hijen e vet te tmerrshme që të arrij edhe unë pak më lart e pak më lart, dhe të cilin kam privilegjin ta kem shok edhe pse takohemi rrallë”.

“Edhe e sjell këtu në këtë bisedë, sepse Gazi që vjen shpesh në këtë qytet, më tha: “Po nuk prenotove përpara dhe vjen në Përmet me idenë që do qëndrosh 1 apo 2 ditë, atëherë i vetmi shpëtim është që ose të kesh kushërinj ose të kesh të njohur që të të hapin derën. Sepse hotele, bujtina, guest house nuk gjen absolutisht asnjë dhomë bosh. Apo jo, Gaz? Dhe e marr me mend se çfarë mund të jetë ndonjëherë për ndonjë të njohur të Gazit kur i vjen te dera gjithë ai Gaz dhe u duhet me e zgjat krevatin me dy stola. Por e vërteta e këtij rrëfimi shumë të thjeshtë është ajo që në fakt thonë edhe të dhënat e zhvillimit të turizmit këtu në Përmet”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “një qytet dhe një zonë që këtë vit ka arritur një numër rekord, 60 000 vizitorësh shqiptarë, nga Tirana, nga qytete të tjera të vendit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe shumë nga Europa dhe nga SHBA. Dhe vijnë sepse këtu gjërat ndryshojnë me muaj e jo më me vite. Vijnë sepse këtu ka njerëz që bëjnë sukses. Vijnë sepse këtu ka njerëz që kthehen, hapin dyert e kalbura të godinave të stërvjetra të stërgjyshërve të tyre apo godina të cilat i marrin me qira. Dikur i blinin, sot nuk i blejnë dot më sepse nuk shiten më, dhe pastaj i kthejnë në bujtina të bukura, i kthejnë në hotele fantastike dhe vënë në dispozicion gjithë traditën e mikpritjes përmetare që si e gjithë mikpritja shqiptare, është e famshme po ka karakteristikat e veta”.

Rama tha se kështu zhvillohen agroturizmet, kështu zhvillohet hoteleria, kështu zhvillohen pastaj edhe të gjitha programet përreth.

“Por unë nuk dua të zgjatem sepse kjo është mbrëmja e të ftuarve të Almës edhe të Mirelës. Unë kam thjesht nderin të jem njëri prej tyre. Dua vetëm të shtoj këtë; Përmeti këtë vit ka qenë një nga vendet me intensitetin më të madh të aktiviteteve kulturore, muzikore, argëtuese dhe janë mbresëlënëse pamjet e atyre aktiviteteve, me sa shumë njerëz të ardhur nga të katër anët për të festuar këtu në Përmet. Është një komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm, por njëkohësisht është edhe një shenjë tjetër, shumë shumë domethënëse e asaj që po ndodh hap pas hapi. Natyrisht ka akoma plot gjëra për të bërë. Ne sot pamë qendrën historike, krejt e transformuar, por tani që është transformuar e gjithë infrastruktura, nevoja për t’i parë të transformuara të gjithë ato shtëpi të vjetra, është shumë më e fortë seç ishte sepse tani ato realisht të vrasin sytë, por kudo shikohen shenja të një jete që rritet, zgjerohet, shtrihet në territor dhe respekte dhe nderim për të gjithë ata që po e bëjnë këtë gjë të ndodhi, qoftë për ata që kanë ardhur nga Tirana këtu, siç ishte rasti i një përmetari shembullor që ka ëndërr të eksportojë rakinë dhe konjakun e Përmetit dhe do ta arrijë dhe është në proces, ose që vijnë nga emigracioni këtu siç është rasti i atij djalit, Arbrit. Këta ishin pionierët e parë. Tani ka plot të tjerë që po i ndjekin dhe uroj dhe shpresoj që kjo mbrëmje të shërbejë dhe për të tjerë që mbase na dëgjojnë për të kuptuar që ka shumë arsye për të ardhur në Përmet”, theksoi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: