Emigrantët e paligjshëm janë kthyer në një problem shqetësues për Italinë dhe qeverinë e Melonit, e cila u zgjodh si kryeministre e vendin në shtator me premtimin për t’i dhënë fund fluksit të emigrantëve nëpër Mesdhe nga Afrika e Veriut.

Fluksi më i madh është i shtetasve egjiptianë e që nisen nga Libia, të cilët ngjeshen me njëri- tjetrin deri në 600 persona, në një anije të vogël peshkimi, me shpresën për të prekur brigjet italiane.

Pavarësisht përpjekjeve të Italisë për të mos lejuar ankorimin e anijeve edhe të organizatave humanitare të cilët i vijnë në ndihmë emigrantëve në det të hapur, vendi po përballet me një numër të shtuar emigrantësh.

Gjatë një shpëtimi nga anijet e shpëtimit të qeverisë italiane më 26 tetor, 1,157 emigrantë u kapën nga dy anije peshkimi që lundronin nga Tobruku në të njëjtën kohë.

“Nisja e anijeve të mëdha nga Libia lindore ka ardhur duke u rritur, veçanërisht që nga fundi i tetorit,” tha Maurice Stierl, pjesë e organizatës Alarm Phone.

Kjo organizatë raporton se të paktën tetë anije peshkimi u nisën për në Itali nga Tobruku në Libinë lindore midis fundit të tetorit dhe javës së kaluar, me një total prej rreth 2,800 emigrantësh në bord, referuar thirrjeve për ndihmë të mara nga anijet përkatëse.

“Një tjetër varkë nga Tobruku u kap të dielën me mbi 500 persona në bord”, raportoi të hënën gazetari i Radio Radicale Sergio Scanduro.

Që nga fillimi i këtij viti, 93,629 emigrantë kanë mbërritur në Itali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb