Është ekstraduar sot në Shqipëri biznesmeni Arber Çekaj, personi i dyshuar për trafikimin e 613 kilogrameve kokaine kolumbiane në portin e Durrësit.

I cilësuar nga ish-ambasadori i SHBA në vendin tonë, Donald Lu, si “peshku i madh”, Çekaj u arrestua në Gjermani, ku zhvilloi një betejë të gjatë gjyqësore me autoritetet gjermane, betejë të cilën pritet të nisë javën e ardhshme me autoritetet shqiptare. Do të jetë një betejë e gjatë, pasi ai është dyshuar edhe më parë për trafik droge, për një sasi të kapur në Ekuador.

Lajmi për ekstradimin e tij është bërë i ditur mëngjesin e sotëm nga Zv/drejtoresha e Pergjithshme Aida Hajnaj, në një deklaratë për mediat, ku njoftoi operacionet e policisë në goditjen e krimit të organizuar.

Hajnaj tha se në bashkëpunim me autoritetet Gjermane, është duke u kryer ekstradimi nga Gjermania në Shqipëri i Arbër Çekajt.

“Po sot nga Interpol Tirana është duke u kryer ekstradimi nga Gjermania në Shqipëri i Arbër Çekaj.” u shpreh Hajnaj.

Arbër Çekaj është pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë, në magazinat e kësaj kompanie në Maminas, i cili është arrestuar në Gjermani me qëllim ekstradimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb