Tirana shkon në Shkodër me moralin e lartë për klasiken shqiptare. Fitorja në derbi me Partizani ka karikuar bardheblutë për të marrë një tjetër sukses dhe për t’u shkëputur në krye. Momentin e mirë të skuadrës e pranon edhe trajneri Orges Shehi, por kërkon përqendrim ndaj Vllaznisë, pasi përballen dy skuadra rivale për titull dhe nuk ka vend aspak për eufori.

Ndeshja ndaj Vllaznisë – “Vijmë pas një fitoreje në derbi. Është një ndjesi pozitive, por do të fokusohemi te ndeshja e nesërme, ku na pret një kundërshtar i fortë dhe rival për titullin. Është klasikja e futbollit shqiptar. Përballen dy skuadra cilësore që synojnë titullin.”

Mungesa e Najdovskit – “Është lojtar i rëndësishëm, por do të bëjmë edhe pa të. Ata që do luajnë do të bëjnë maksimumin, që të mos ndihet mungesa. Jemi skuadër që nuk varemi nga një individ. Gëzimi është i pranishëm, por nuk duhet të jemi euforikë. Kemi patur pak ditë për tu përgatitur për ndeshjen, por nuk jemi euforikë. Është vetëm fillimi i kampionatit.”

Vllaznia – “Është një ndeshje e fortë. Ata kanë një skuadër shumë të mirë. Vjet rivalizuan për titull, edhe këtë vit synojnë majat.”

Ashtu si në derbi, Shehi mendon se edhe në Shkodër mund të jenë detajet ato që mund të vendosin ndeshjen. Sipas trajnerit të Tiranës, janë 7 skuadra në luftën për titull dhe në çdo javë ka përballje të forta.

Statistikat – “Statistikat vlejnë për të shkuarën, por futbolli është e tashmja. Do të bëjmë maksimumin, që të qeshim pas ndeshjes. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, duhet të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje. Është shumë shpejt për të folur për të qenë lokomotiva e kampionatit.”

Kërkesa për skuadrën – “Dua që skuadra të luajë si në derbi, nuk jemi perfektë. Të gjithë gabojmë, unë i pari. Por duhet të futemi me atë impenjim, detajet e vendosin ndeshjen e madhe. Janë 7 skuadra pretendente, çdo javë do të ketë rivalë të drejtpërdrejtë. Duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës, të tjerat i mendojmë më vonë”, përfundoi Orges Shehi.

Tirana ndodhet në krye të rënditjes me 14 pikë, ndërsa Vllaznia në vendin e katërt me 9 pikë. Nëse bardheblutë do të fitonin edhe këtë sfidë, largon edhe një rival nga titulli pas Partizanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb