Nga: SILVI BAKIRI*
Fushata ka nisur zyrtarisht. “Dy kandidatët kryesorë…”, dëgjoj rrëshqitazi në lajmet e një radioje, edhe pse në fakt disa media të tjera i kanë bërë tashmë publikë 5 (pesë) emrat që janë zyrtarisht në garën për Bashkinë e Tiranës. Pyetja që më lind natyrshëm me këtë rast është: Ç’gjë na shtyn të besojmë kaq fort, ende, se janë dy partitë kryesore në vend që i bëjnë kryesorë edhe kandidatët?
A mos duke ia shërbyer publikut këta kandidatë si “kryesorë” u themi atyre t’i vlerësojnë vërtet si të tillë, duke ia lehtësuar kështu rrugën drejt rezultatit përfundimtar më 21 qershor? Pra, mos duke u zënë fort pas traditës sonë fatkeqe, ku dy kandidatët që “hedhin” më shumë para për të ngjitur imazhin e tyre në çdo cep të Tiranës, apo ata që hapin fjalë se me ardhjen e tyre në krye të bashkisë, kjo e fundit do ndryshojë aq shumë fytyrën e saj saqë askush s’do e njohë më…, pikërisht këta janë edhe më kryesorët?!
T’i qëndrosh disi besnik të shkuarës e bashkë me të historisë, do të thotë t’u japësh qytetarëve lirinë të kujtojnë; të kujtojnë se përse Tirana u katandis në qytetin me nivelin më të lartë të ndotjes në rajon? Pse Tirana është tani që flasim një qytet pa gjelbërim e pse banorët e saj/ Shqipërisë duhet ende, kujdes: në vitin 2015, të vënë re “pastërtinë” kur vizitojnë shëtitoret europiane? Pse Shqipëria të mos ketë prioritete të tjera, më të mëdha, në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Europian, por të vazhdojë të ëndërrojë syhapur për trame, kur në fakt e kalon ende bregun me trap?
Pse ne duhet të vazhdojmë të besojmë që kandidati, i cili përcjell me besnikëri të njëjtën frymë si partia e vet – që ia ka shtruar rrugën me dashuri në çdo hap për të ardhur deri aty… e përsëri ka harruar të shtrojë rrugët e qytetit, do të bëjë ndonjë ndryshim; ndryshim që nuk erdhi kurrë në vitet e shkuara? T’i kërkosh tjetrit të votojë për ty duke i paraqitur një program vizualisht interesant apo edhe duke i premtuar ta punësosh në bashki, është ndoshta pjesë e kapërdishme e një fushate normale, por të kërkosh prej tjetrit të harrojë se si kanë rrjedhur në të vërtetë zgjedhjet e mëparshme, pa zgjidhje por përkundrazi; fjalëshumë e punëpak, është: të ndërhysh në realitetin e fakteve, t’ua bësh qytetarëve të bardhën të zezë e anasjellas dhe t’u imponosh sjellje që në thelb nuk kanë asgjë dobiprurëse, përveçse janë përgjigje pozitive e manovrave manipulative për të rritur pushtetin.
Këto manovra, dalë nga makineritë përkatëse të propagandës së hollë që zhvillohet në gjirin e majtë dhe të djathtë, nga edhe ku dy kandidatët ushqehen, janë gjithsesi tentativë e mirë që mund të qorrojnë një publik besnik të ryshfetit me fjalë e vepra, por nga ana tjetër, filli i hollë rrezikon të bjerë kaput në veshët e mendjet e pjesës tjetër që filtron shumë mirë gjithçka që është realisht reale si edhe atë që mbetet. Strategjia e ardhur dhe e njohur që prej Ciklit të Kreshnikëve: “7 hile, 1 trimëri” duket se nuk është më aq e funksionueshme në një kohë e vend ku njerëzit kanë hapur sytë e shohin mirë. Të shohësh mirë, në këtë rast, do të thotë të kuptosh se Bashkisë së Tiranës, por edhe Shqipërisë i duhet kandidati më shumë se sa partia e tij.
Në zgjedhjet vendore, Shqipërisë i duhen kandidatë- menaxherë të zotë, figura të panjollosura, me integritet dhe duke ardhur në sallonin e bashkisë jo më duke e parë atë si pasarelë, por si vendi nga ku vendimmarrja mund të bëjë ndryshime të qenësishme në jetën e qytetarëve shqiptarë. Me fjalë të tjera, një kryetar bashkie me vullnetin e mirë për të punuar më shumë se sa për të puthur duar, mundet pa frikë të bëjë atë që Alastair Campbell nuk e ka bërë dot kurrë për qytetin e tij të lindjes gjatë gjithë karrierës si *spin doctor. Kërcënimi se buxheti i qeverisë nuk do të jetë më i disponueshëm për bashkinë nëse në këtë të fundit do zgjidhet një kandidat jashtë të majtës është një autogol, që vetëm mund të dobësojë pushtetin konstruktiv të kryeministrit. Nëse ky i fundit dëshiron një Shqipëri në drejtimin e duhur, siç pretendon, duhet ta lërë atë të marrë oksigjenin e nevojshëm, duke pranuar e madje përkrahur dikë që jo thjesht punon me mendje 24 orë, 7 ditë të javë, por dikë që punon efektivisht me idenë për t’ia kthyer vërtet oksigjenin kryeqytetit.
Ajo që duhet të bëjnë shqiptarët është të votojnë me zemër dhe mendje në vend, pa u ndikuar sadopak nga shantazhet apo aq më pak mrekulluar nga premtimet false, që tashmë janë kthyer në karamele të hidhura për këdo që i ha.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: