Prej orës 10 të mëngjesit e deri në orët e vona të pasdites, 7 kandidatë janë paraqitur në Ministrinë e Kulturës për të prezantuar platformat e tyre për drejtimin e Teatrit Kombetar të Operas dhe Baletit pas mbarimit të mandatit të drejtoreshës aktuale, Zana Çela. Nga opera me plan biznesi, te opera që fokusohet te brezi i ri dhe studentët e Akademisë, në Opera që bashkëpunon me bashkinë e Tiranës artistë e menaxherë shpalosën projektet e tyre.

KOMISION ME EKSPERTË TË HUAJ
Komisioni i përbërë nga zëvendësministrja Meri Kumbe, (muzikologe), Drejtoresha ekzekutive në ministri Elira Dani, drejtori Arjan Avrazi(kompozitor), artisti dhe eksperti i jashtëm Luigi Ferrari nga Italia dhe Artisti e eksperti i jashtëm Gintautas Kevisas (Lituani, ish ministër kulture) dëgjuan 7 kandidatët për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Për pozicionin konkurruan drejtoresha aktuale Zana Çela, ish drejtoresha artistike e Operas në 8 vite Abigeila Voshtina, tenori Josif Gjipali, balerina Adela Muçollari, artisti Kleanthi Gjika, balerini e menaxheri Tomorr Kokona dhe artisti e ish drejtori në Ministrinë E Kulturës të qeverisë Berisha 2, Arben Skënderi.

KANDIDATËT
Çela u paraqit e para në ministri dhe hyri e para në prezantim duke marrë plot 2 orë kohë në një platformë që ngërthente atë që është bërë deri tani me nevojat për strukturim, pavarësi nga buxhetet shtetërore, angazhim të të rinjve dhe më shumë marketing. E pyetur nëse Opera është a duhet të jetë një teatër repertori apo sezonal, terma që nënkuptojnë artistë të punësuar apo me kontrata, ajo foli për një teatër repertori që në krijimin e tij.

Në vijim Josif Gjipali, u ndal te një teatër ku solistët duhet të jenë më kontrata në bazë të roleve. “Duhet të ketë repertor bazë të operas, artistët të punojnë me kontratë të përcaktuar, që gjithkush të paguhet për atë që bën” tha ai, dhe i pyetur nga komisioni për ata soliste që s’mund të kenë role dhe as nuk mund t’u bëhet vend në kor, ai mes të tjerash tha se opera nuk është institucion bamirësie, është institucion arti.

Ndërsa thembra e Akilit për thithjen e fondeve mbetet ligji i munguar i sponsorizimeve, kandidati Tomorr Kokona artikuloi që çdo gjë është biznes. Sipas tij, duhet plan biznesi, diversifikim i ofertave të shitjeve, prekje e tregut ndërkombëtar, bashkëprodhime, thithje fondesh. “Na duhen kompozitorë të mëdhenj e koreografe. Kam vizion solid biznesi sipas modelit Royal Opera: marketing, cilësi, model i vetëmbeshetur financiarisht në masën 2/3” tha ai, por nga pyetjet e komisionit dolën në pah hendeqe, nga modeli britanik në realitetin shqiptar.

Për ish-drejtoreshën artistike Abigeila Voshtina opera duhet të bashkëpunojë e bashkërendojë më shumë me bashkinë e Tiranës. Ajo tha se ka punuar me Ilir Kernin ku ka mësuar shumë për Baletin dhe po aq me Zana Çelen ku ka mësuar shkresat ndërsa opera për të tha se është një ëndërr.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: