NGA JETON SELIMI*

Kombëtarja e Shqipërisë ka mbërritur në Vjenë, ku do të zhvillojë dhe takimin miqësor ndaj Austrisë ditën e sotme në stadiumin “Ernst Happel”. Kuqezinjtë tanë kanë pasur një pritje të ngrohtë në aeroportin e kryeqytetit austriak, teksa dhjetëra tifozë shqiptarë kanë dalë për t’u uruar mirëseardhjen heronjve të Kombëtares, ndërsa nuk kanë munguar fotot dhe autografet. Por miqësorja e së shtunës ndaj Austrisë do të shërbejë për të krijuar një ide rreth mbështetjes që do të ketë Kombëtarja gjatë aventurës në finalet e Europianit.

Mbështetja për kuqezinjtë, sa herë që luajnë jashtë kufijve, nuk ka munguar kurrë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Vjenë, ku tifozët shqiptarë pritet të jenë të shumtë në numër. Sipas mediave austriake, pak orë përpara sfidës në “Ernst Happel Stadium” ishin shitur 25 mijë bileta, nga afro 51 mijë vende që është kapaciteti total i impiantit.

Plot 7 mijë vende janë për tifozët e Shqipërisë. Shifrat pritet të ndryshojnë, megjithatë, të besuarit e Xhani de Biazit do të kenë mbështetjen e madhe të fansave, të cilët do të përbëjnë 1/3-ën e stadiumit. Një shifër e konsiderueshme, që realizohet më së shumti falë prezencës së shqiptarëve që jetojnë në Austri, por edhe vendet fqinje, Zvicër, Gjermani dhe Itali. Mbështetja kaq e madhe e tifozëve është një sinjal i asaj që të gjithë presin gjatë përfaqësimit të Shqipërisë në finalet e “Euro 2016”. Stadiume të mbushura, ku dominojnë ngjyrat kuqezi.

De Biazi
Miqësorja ndaj Austrisë, një skuadër e nivelit të lartë, aq shumë e kërkuar nga trajneri Xhani de Biazi, është pikënisja e përgatitjeve për eventin madhor, një sfidë që shërben për të konsoliduar idetë dhe grupin. “Europiani fillon më 10 qershor, ndërsa ne nisemi drejt Vjenës për një miqësore që do të na shërbejë si eksperiencë e nevojshme, kur të kthehemi sërish në Austri në maj për të përgatitur si duhet Europianin e Francës.

Janë ndeshje që na shërbejnë për të bërë disa eksperimente, për të parë kushtet e futbollistëve si dhe për të punuar taktikisht me skuadrën.” Ekipi kombëtar ka përjetuar emocionet e mëdha në ditët e fundit, ku ka ndjerë përkrahjen e tifozëve sidomos gjatë prezantimit të fanellës së re. Debutimi në Europian është një ëndërr e arkivuar dhe tashmë të gjithë presin një përfaqësim dinjitoz të skuadrës në Francë. Pa presionin e rezultatit, De Biazi jep recetën e duhur për të përballuar këtë eveniment. “Jemi të njëjtët, i afrohemi një evenimenti të rëndësishëm dhe duhet të përpiqemi të jemi të qetë.”

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: