TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar popullin e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët për 7-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Basha thekson se kjo e sotmja është një ditë krenarie e gëzimi legjitim për çdo bashkëkombas në çdo skaj të globit.
“Mirënjohje të thellë ndaj SHBA, mikut tonë të madh, mirënjohje NATO-s dhe vendeve mike Evropiane, mirënjohje qeverive të çdo vendi që duke njohur pavarësinë e Kosovës mundësuan realizimin e aspiratës thelbësore të një populli, ëndrrën e lirisë.”- shkruan Basha.
URIMI I PLOTE I KREUT TE OPOZITES SHQIPTARE
Gëzuar Pavarësinë Kosovë!
Në këtë përvjetor të shtatë të pavarësisë së Kosovës, kam nderin,krenarinë dhe gëzimin ti uroj popullit te Kosovës,institucioneve të saj dhe mbarë shqiptarëve kudo ndodhen , Gëzuar Pavarësinë e Kosovës. Kjo e sotmja është një ditë krenarie e gëzimi legjitim për çdo bashkëkombas në çdo skaj të globit, kudo ku jeton, punon e me dashuri e drithërime ndjek ecjen e kombit të tij në rrugën e lirisë dhe zhvillimit. Kësaj krenarie e gëzimi sot i bashkohem dhe unë.
bashkohem si një njeri i cili u lind e u rrit me dashurinë dhe dhimbjen për gjysmën e kombit tone të munduar e të privuar nga liria, i bashkohem si një i ri i cili ndjeu në palce dëshirën e vëllezërve tanë në Kosovë për liri e pavarësi, i bashkohem si një dëshmitar që përshkoi hapat e pavarësimit të Kosovës,hapa jo të lehte,mbushur me dhimbje krenari e plot dinjitet. I bashkohem si shtetari që Zoti e bekoi me mundësinë të jetojë e kontribuojë si protagonist në momentin historik të kurorëzimit të atij procesi madhor të pavarësimit,

I bashkohem si shtetari që shndërroi në mision të jetës realizimin e një vepre infrastrukturore të pakrahasueshme në dekada e që bashkoi shqiptaret, Udhën e Kombit. I bashkohem këtij gëzimi si mik dhe aleat i të gjithë atyre që kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të Kosovës,në ndërtimin e një Kosove të lirë e demokratike, si pjesë e projektit tonë madhor integrues mes veti dhe familjes se madhe europiane. I bashkohem këtij gëzimi me premtimin, sot si lider i opozitës shqiptare dhe së afërmi ne krye të një shumice qeverisëse, së me çdo forcë demokratike në Kosovë do shndërrojmë në yll polar të politikës e punës sonë, e si pjesë solide e projektit tonë kombëtar, ndërtimin e një Ballkani në paqe, te sigurtë, të zhvilluar dhe të integruar në bashkësinë euroatlantike.
Te dashur vëllezër, sot ne së bashku festojmë një arritje të madhe historike për kombin tonë. Unë besoj se në këtë ditë, ashtu siç në çdo ditë e brez pas brezi, është e vyer të kujtojmë me mirënjohje të sinqertë miqtë dhe aleatët e mëdhenj që mundësuan e ndihmuan ëndrrën tonë çlirimtare. Mirënjohje të thellë ndaj SHBA, mikut tonë të madh, mirënjohje NATO-s dhe vendeve mike Evropiane, mirënjohje qeverive të çdo vendi që duke njohur pavarësinë e Kosovës mundësuan realizimin e aspiratës thelbësore të një populli, ëndrrën e lirisë.
Me një mesazh zemre dua ti drejtohem sot çdo qytetari të Kosovës: I dashur vëlla e motër! Deri më sot ne kemi arritur shumë, por rrugëtimi ynë ende s’ka mbaruar, ai shpesh na ballafaqon me vështirësi e të përpjeta, shpeshherë na ligështon e na mundon, por me besoni si vëllain tuaj që mban të njëjtën brenge e frymon të njëjtën shprese..,rruga qe kemi zgjedhur është e drejta, është me e qarta, është me e sigurta për të ardhmen tonë si individ e si komb.Ta përshkojmë së bashku këtë rrugëtim, duke u mbështetur në krahë të njeri-tjetrit, me bindjen se po ecim në rrugën e duhur ,me bindjen se na mbështesin miq të vërtetë, ta përshkojmë këtë rrugë me force e dinjitet, me besimin në Zot dhe në virtytet e kombit tone.
Është rruga e një Kosove më të mirë e një Shqipërie më të mirë, të bashkuar në aspiratën europiane, është rruga drejt të ardhmes sonë të sigurt. Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! Zoti i bekoftë shqiptarët anembanë globit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb