Prej së hënës, e deri në fund të javës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave organizon “Javën e Arkivave të Hapura” në kuadër të 70-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

“Gjatë këtyre ditëve, vizitorët do të mund të shohin proceset e punës që kryhen në Arkivin Qendror Shtetëror, nga sektori i vendruajtjes, përpunimit, mikrofilmimi, digjitalizimi dhe restaurimi i dokumenteve arkivore. Po ashtu do të mund të shohin nga afër Kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikët e Beratit, që përbëjnë trashëgiminë më të vyer tonë Kulturore Kombëtare dhe që është shfaqur rrallë herë në publik”, thotë Elsa Saka, përgjegjëse e promovimit dhe komunikimit në DPA.

Të gjithë që kanë dëshirë të shohin sallën e studimit, laboratorin e restaurimit, vendruajtjet dhe çdo mjedis tjetër i DPA-së, sidomos nxënësit e studentët, mund të shfrytëzojnë këtë mundësi në Javën e Arkivave të Hapura. Në deklaratën për mediat, Elsa Saka, përgjegjëse e promovimit dhe komunikimit, u bëri thirrje të gjitha shkollave dhe universiteteve që të kontaktojnë paraprakisht për vizita gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të krijohen të gjitha mundësitë dhe hapësirat e njohjes nga afër me këto procese, veçanërisht për të rinjtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb