ELBASAN – Një 70-vjeçar ka bërë një denoncim të rrallë ndaj policisë në Elbasan. Ramazan Rreshka akuzon uniformat blu se i kanë grabitur rakinë, turshitë, reçelin dhe specat djegës. 70-vjeçari thotë se rreth orës 12 pas mesnatës policët hyjnë në shtëpinë e tij pa autorizim dhe me dhunë. Ai pretendon se efektivët i kanë marrë rreth 400 litra raki.

70- vjeçari i është drejtuar me një ankesë Drejtorisë së Elbasanit, por thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ramazan Rreshka deklaron se policia ka ushtruar kontroll në shtëpinë e tij dhe ka ndaluar vajzën dhe dhëndrin, por pa dhënë sqarime mbi motivet.

Nga ana tjetër, polica e Elbasanit konfirmon se kontrolli ka qenë i ligjshëm dhe po verifikohet origjina e mallit, pasi dyshohet se ka hyrë kontrabandë.
“Specialistët e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Drejtorinë e Policisë Qarkut Elbasan, kanë ushtruar një kontroll në lokalin e shtetasit: Fatmir Ramollari, vjeç 47, banues në fshatin Katund i ri Elbasan, bazuar në dispozita ligjore ,bënë arrestimin e tij, në kushtet e flagrancës, pasi dyshohet të ketë futur mallra kontrabandë. Nga veprimet e para hetimore, nga kontrolli i bërë nga efektivat e policisë, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale: 56 shishe verë një litërshe e markës Snobi, pa pullën fiskale, 82 shishe me nga 5 litra raki, si dhe mallra të tjera pa fatura të blerjes së mallit.”- bëri të ditur policia e Elbasanit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb