Nga: ASTRIT KOSTURI*
Ka mbi njëzetë vjet, vite të ngarkuara me emocione të kota dhe boshe, që në vend të platformave shndërruese në dobi të popullit dhe të atdheut, politika ka vetëngecur në një bunacë kutërbuese, të qëllimshme dhe irrituese, nëse çlirimi i vendit të shqiponjave paska ndodhur më 28 apo më 29 nëntor 1944.
Lidhur me këtë dilemë që ka marrë përmasa shekspiriane, Oborret e Politikës kanë angazhuar një radhë studiuesish axhaminj e fanatikë, pseudohistorianësh, që në vend të fakteve historike i servirin publikut të çoroditur shqiptar teza e direktiva partiake, të spërkatura me aromën e neveritshme të një patriotizmi fiktiv e kallp.
Duke i ndjekur hap pas hapi aktivitetet e këtij viti të 70- vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, kam vërejtur se mungojnë ngjyrat e festës dhe impenjimi i sinqertë i strukturave shtetërore, duke dalë për fat të keq, dominimi në rritje i paditurisë historike tek brezi i ri, si dhe pamundësia e disa shtresave sociale, për të shpjeguar historinë në mënyrë kronologjike dhe përpjekjet e sakrificat ekstreme të popullit shqiptar në shekuj për Liri e Pavarësi!
Ajo që vërehet paturpësisht është servilizmi i pështirë, hipokrizia e patetizmi i shfrenuar i llafollogëve, tek njerëzit e pushtetshëm dhe tek politikanët në përgjithësi, sa për të arritur qëllime elektorale dhe imazh popullor!
Në këtë Jubile të Çlirimit bëhen të frikshme, urrejtja dhe thashethemet (që asnjëherë nuk janë argument dhe si të tilla, s’mund të diskutohet rreth tyre, veçse te shpërfillen), nga të çoroditurit dhe rrugaçëria politike e ordinere!
Por, është dhe një fakt pozitiv si mundësi shpresëdhënëse, që ndershmëria, sinqeriteti dhe vendosmëria e mjaft njerëzve janë në radhën e idealeve të larta të njerëzimit dhe me tendencë në rritje, drejt një zgjimi mbarëpopullor për të vlerësuar të vërtetat historike dhe idetë progresiste, të ideuara e të udhëhequra nga lëvizje politike të dala nga gjiri i popullit!
Në këtë kohë e situatë, që kjo shoqëri e sëmurë dhe në një udhëkryq dhjetëra vjeçar ka shumë halle e çështje madhore për të zgjidhur, në një kohë kur bipartitizmi po na grabit çdo ditë me metoda dhe mjete sa primitive aq dhe të sofistikuara, ne merremi me një “histori me paskuinë”, siç mund të thoshte Gabriel Garsia Markez, nobelisti i famshëm, duke e shtyrë shqetësimin kolektiv mbarëpopullor për normalitet jetësor në kalendrat e fqinjëve tanë të jugut e veriut.
Në vend të historianëve të vërtetë dhe të paanshëm, flasin deputetët dhe partiakët, administratorët dhe liderët e dy partive të mëdha, duke i ngatërruar ende më keq fijet e kësaj të ashtuquajture “nyje gordiane”, sa herë afrohet fundnëntori, por dhe sa herë që e duan interesat pragmatiste të selisë blu dhe asaj rozë.
Por, as Rama nuk i justifikon dështimet e tij duke sulmuar Enver Hoxhën, as Basha nuk vjen në pushtet duke e sharë atë, apo duke ngritur alibinë neokomuniste dhe enveriste të Ramës!
Debati shterpë shkon deri tek data e Çlirimit, tek 28 apo 29 Nëntor, si të ishte çështja të rrosh a të mos rrosh!!…
Si mund të jetë e rëndësishme data, se kur është çliruar Shqipëria, kur ka ikur gjermani i fundit nga Shkodra, më 28 apo me 29 Nëntor, kur ky fakt e detaj historik, nuk shton dhe as nuk pakëson ndonjë gjë në kandarin e vlerave të Luftës Nazifashiste të popullit shqiptar?!
Edhe nëse ky çlirim ka ndodhur më 28, edhe nëse ka ndodhur me 29, historia është po ajo, vlerat po ato, gjaku i derdhur po ai, dhe askush nuk mund të tjetërsojë rrjedhat, shkaqet dhe pasojat e asaj lufte, në një kohë titanike të popullit shqiptar, kohë e cila duam apo nuk duam ne tanimë ka hyrë më analet e historisë kombëtare dhe vetëm historia mund ta gjykojë.
Por janë dy arsye themelore për të cilat politika dypartiake e Tiranës e zhvendos këtë çështje madhore në anekse datash, 28 apo 29 Nëntor, pa u marrë me thelbin e vetë problemit, që është raporti i kësaj farë politike me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Arseja e parë e kësaj zhvendosje të vëmendjes është mosqëndrimi korrekt dhe i argumentuar i kësaj politike bipartiake ndaj luftës, për të cilën nuk ka një reflektim të prerë dhe bindës.
E djathta, me në krye PD-në, e lançon luftën sa herë ia do puna, për të vjelë vota dhe nga e ashtuquajtura e majtë, nga të pakënaqurit e saj, për shkak të konflikteve që kjo e fundit ka hapur mes vetes së saj, ndër grupe e klane, që po konturohen çdo e ditë e më dukshëm. Ndërkohë, askush nuk e pengon PD-në dhe partitë e djathta satelite rreth saj, që të dekorojë e të ngrejë në piedestal ish-kuislingët dhe armiqtë e popullit, ata që e kanë shitur lëkurën tek nazifashistët, duke u bërë shërbëtorë të djallit.
Nga ana tjetër, partitë e pozicionuara majtas dhe që kanë uzurpuar pushtetin e popullit, edhe pse flasin me gjuhën e privatizimeve dhe të konçensioneve, e njohin luftën sa për sy e faqe, pinë ndonjë kafe në ndonjë shtëpi veterani më 29 Nëntor, por me kaq mbaron misioni. Gjithçka harrohet dhe tek tuk vihet në evidencë ndonjë ngjarje apo episode të veçuara nga lufta, vetëm kur ashtu ia do mushka drutë selisë rozë, për të fituar për çastin kredibilitet politik. Pra, një demagogji e pafund, një lojë e ndyrë me historinë, me një nga etapat më spektakolare të saj, kur u shkrua me gjak e sakrifica të panumërta njerëzore një akt lavdie nga më dinjitozët në Europë.
Arsyeja e dytë, akoma më madhore dhe principale e këtij devijimi, e kësaj ngecje në dy data, nga dy oborret partiake, është për të hedhur tym dhe shashka, në një realitet të mbarsur me krizë të gjithanshme dhe konflikte sociale, kur muret e sigurisë së njerëzve të këtij vendi janë prekur rëndë dhe po rrënohen në mënyrë dramatike. Këtu në këtë vend, njerëzit flasin me vete për shkak të varfërisë që i ka kapur për sysh; traumat sociale po shoqërohen me trauma psikike dhe morale, duke u përdorur për mbajtje pushteti ose ardhje në fuqi. Pra, jemi një popull në prag të çmendurisë kolektive, të ardhur për shkak të zullumeve të politikës dypartiake të Tiranës zyrtare për 24 vjet me radhë, qoftë pushtetare, qoftë opozitare, duke bërë evidente jo vetë mjeshtërinë e pushtetit, por dhe defektet tona si shoqëri ende e pa emancipuar.
Kjo panoramë devijimi, nuk rëndon vetëm xhepat e shqiptarëve, shumica e të cilëve flasin me vete për shkak të varfërisë së tejskajshme, por edhe trutë e shpirtin e lodhur të individit, moralin e shoqërisë shqiptare, në një krizë të rëndë dhe thuajse pa limit.
Klasa politike shqiptare, dy selitë më të mëdha të partitizmit shqiptar, kanë humbur vizionin e çdo idealiteti të mundshëm dhe për pasojë, këtij errësimi i shërben akoma edhe aventura demagogjike, cinike e dashkeqe e protagonistëve të saj, aq të përfolur për korrupsion e keqpërdorim të pushtetit dhe besimit publik.
Pra, parë në këtë prizëm, arsyeja e zhvendosjes së vëmendjes nga kriza politika, ekonomike, sociale morale e këtij vendi, tek datat e çlirimit, 28 apo 29 Nëntor 1944 dhe tek fotografia e Enver Hoxhës, ka të bëjë me përpjekjen e lidershipit politik, të majtë apo të djathtë, për humbjen e vëmendjes së popullit nga realiteti klithës, zhvendosjen e saj në “bunkerë e mjedise” historike, që nuk janë fushë e politikës dhe politikëbërësve, por e historianëve të mirëfilltë, me kurajën që buron nga fakti historik dhe e vërteta historike, nuk e sfumojnë aspak luftën e shenjtë të një populli për liri dhe dinjitet kombëtar.
Data 28 apo 29 Nëntor 1944, është e rëndësishme aq sa duhet, aq sa përmban të vërteta në lidhje me fundin e tiranisë nazifashiste mbi popullin shqiptar, por jo aq e rëndësishme sa të mbajë peng politikën dhe gjithë vendin, duke bërë që të festohet në dy kampe dhe në dy data të ndryshme.
Pra, 28 apo 29 Nëntor, nuk është si të rrosh a të mos rrosh, dilema tragjike hamletiane e popullit tonë, në një nga udhëkryqet më të vështira ku e ka izoluar politika dritëshkurtër, e cila nuk ka moral më të drejtojë shoqërinë shqiptare, përderisa nuk prodhon më asgjë në këtë vend, veçse krizë e dëshpërim kolektiv.
*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: