Odise Roshi nuk do të jetë vetëm 1 prej titullarëve nesër në sfidën miqësore kundër Norvegjisë, por edhe kapiteni i skuadrës. Në intervistën e sotme para mediave futbollisti është shprehur shumë i lumtur për shiritin, por thekson se do të pretendojë ta mbajë përgjithmonë, jo vetëm në këtë ndeshje.

Më tej fieraku shtoi se prurjet e reja në Kombëtare do t’i bëjnë shumë mirë skuadrës, pasi do të rrisin konkurrencën.

Do të jeni kapiten nesër…

Të them të drejtën, nuk jam surprizuar. Mendoj se është krenari të jem kapiten. Këtu është rregull, që kush ka më shumë ndeshje, do të jetë kapiten. Për mua është shumë e rëndësishme ndeshja nesër por si kapiten më bën të luaj më tepër. Do të ishte kënaqësi ta mbaja gjithmonë shiritin, pasi unë gjithmonë kam dhënën maksimumin në fushë dhe besoj se jam i aftë ta mbaj shiritin përherë.

Ne kemi shumë lojtarë më përvojë në ekip, por edhe elementë të rinj, që kanë rritur konkurrencën dhe kjo konkurrencë i bën mirë ekipit. Jemi fokusuar te detyrat e trajnerit dhe duhet t’i zbatojmë në fushë.

Në lidhje me kundërshtarin

Ne jemi një grup shumë i mirë, por Norvegjia ka një ekip simpatik. Ambienti ynë është mjaft i mirë dhe duhet të japim maksimumin për të fituar. Nesër luajmë për fitore.

Stili i lojës nga Panucci

Për mua është gjithmonë më mirë loja në sulm, por për të fituar duhet edhe të mbrohesh edhe të sulmosh. Kemi parë që në stërvitje elementët e rinj janë lojtarë me shumë kualitet.

Kur luan me Kombëtaren, duhet të japësh 100% dhe luaj në mënyrë maksimale. Kur luaj me Kombëtaren, kam një motivim plus, ndërkohë që me ekipin ku luaj është më ndryshe.

Atmosfera në ekip?

Atmosfera është shumë e mirë dhe kemi shumë harmoni në skuadër. Kjo është diçka shumë pozitive.

Prurjet e reja si Abazaj dhe Gavazaj?

I kam parë në stërvitje dhe janë dy talente me kualitete dhe konkurrenca që kanë sjellë na bën mirë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb