Presidenti Ilir Meta përkujton sot 76-vjetorin e Çlirimit të Tiranës, duke u shprehur se lufta fitimtare për kryeqytetin i hapi rrugën çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe ruajtjes së integritetit dhe kufijve të shtetit shqiptar.

Mes të tjerash dhe teksa publikon disa foto të rralla të asaj kohe, Meta thekson se “Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Mesazhi i Metës:

Sot, përkujtojmë me nderim të thellë dhe krenari të ligjshme, 17 Nëntorin 1944, Ditën e kurorëzimit me fitore të betejës legjendare për Çlirimin e Tiranës, kryeqytetit tonë, nga pushtuesit nazifashistë!
Lufta fitimtare për Kryeqytetin i hapi rrugën Çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe ruajtjes së integritetit dhe kufijve të shtetit shqiptar.
76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet.
Për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit!
Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste.
Mesazhet e mëdha të lirisë, paqes dhe luftës kundër tiranisë, tingëllojnë edhe sot më aktuale se kurrë, të nderuara dhe të pacënuara nga koha dhe devijimet e mëvonshme të kauzës së lirisë të partizanëve tanë të lavdishëm.
Sot përulem me respekt ndaj Dëshmorëve të Atdheut, të cilët dhanë gjakun për Çlirimin e Kryeqytetit.
Me mirënjohje për të gjithë partizanët, sot nderojmë edhe popullin e Tiranës, që u bë njësh me çlirimtarët kundër pushtuesve, duke ndërtuar barrikadat për çlirimtarët dhe kthyer shtëpitë e tyre në fortifikata kundër pushtuesit.
Përjetë lavdi Dëshmorëve të rënë për Çlirimin e Tiranës! ??

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb