Ditët e para të dhjetorit 1990 dhe revolta e studentëve ishin një nga ngjarjet më madhore të historisë së Shqipërisë dhe kambana lajmëruese e ndryshimit të sistemit.

Kjo protestë zuri një vend të rëndësishëm dhe në mediat perëndimore, për të cilat Shqipëria ishte hermetike. Zëri i Amerikës përcillte parullat e studentëve dhe situatën në ato ditë në Tiranë, ku ndër të tjera thuhet se konviktet ishin të rrethuara dhe se forcat e sigurimit me mjete të blinduara shtypën demonstratat.

“Njoftimet zyrtare nga Tirana nuk dhanë hollësi lidhur me numrin e demonstruesve dhe nëse pati viktima gjatë përleshjeve. Agjencia e lajmeve Rojter (Reuters), njoftoi se studentët duke thirrur ‘Duam reforma’ dhe ‘poshtë diktatura, u përleshën me forcat e sigurimit.
Sipas burimeve në Tiranë parmbrëmë nja 5 mijë studentë morën pjesë në një demonstratë duke hedhur parulla: ‘mjaft më në robëri’. Thuhet se forcat e sigurimit të mbështetura me mjete të blinduara i shtypën demonstratat. Një qytetar nga Tirana i tha “Zërit të Amerikës” se sot në mëngjes konviktet ishin të rrethuara, se dëgjohej zhurmë e madhe dhe dukej se demonstrata vazhdonte brenda…
Agjencia e lajmeve ANSA, Rojter bëjnë të ditur se dje në Tiranë është bërë një protestë studentësh. Mund të thuhet se është e para protestë që bëhet nga studentët shqiptarë. Nga ana e vet studentët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre se s’ka elektricitet, megjithëse kjo gjë është një truk sepse studentët e dinë shumë mirë se kërkojnë lirinë e vendit të tyre, të vërtetën, lirinë demokratike në vetkuptimin e fjalës”.

Ndërkaq analisti dhe politologu Afrim Krasniqi i cili ka shpërndarë lajmin në Zërin e Amerikës, shkruan se ishin ditët që ndryshuan Shqipërinë, teksa nuk e kursen një kritikë për ata që ato ditë ishin kundër e sot shkruajnë më shumë.

“VOA 1990, kur raportoi lajmet mbi protestat e 8-9 dhjetorit. Ishin ditët që ndryshuan Shqipërinë. Sot bëjnë statuse personale më shumë ata që ato ditë & dekada ishin kundër 8/12 sesa ajo pakicë rinore që ishte pro, por le ta bëjnë! I kanë marrë të gjitha, le ta marrin edhe 8 dhjetorin. Ky vend ka pasur e ka më shumë histori abuzimi me lirinë sesa respekt ndaj lirisë! Rëndësi ka që 8/12 ua mundësoi lirinë, ua hoqi frikën dhe ua dha mundësinë të mendojnë, ani pse mendjet e mentaliteti janë të tyre. Respekt për 8/12 dhe bashkëmoshatarët që ato ditë, me qytetari, kurajo dhe idealizëm, bënë detyrën e tyre ndaj vendit”, shkruan Krasniqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb