Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, së bashku me Sekretarin për Rininë, Lazerin Gjeçaj dhe drejtues të LRI-së, me rastin e 8 Dhjetorit, mbajtën homazhe në Qytetin Studenti tek busti i Azem Hajdarit.

Në fjalën e tij Blushi u shpreh se, “sot është dita për t’u përulur me mirënjohje ndaj lidershipit historik dhe frymëzues të Azem Hajdarit, ndaj brezit të të rinjve dhe të rejave që 34 vite më parë i prinë Lëvizjes Studentore që çoi në përmbysjen e regjimit diktatorial”.

Nga Qyteti Studenti, Blushi i ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, “në veçanti ata të rinj që lindën në Demokraci, por që sot janë në Diktaturë, që t’i prijnë një misioni dhe angazhimi historik për të marrë në dorë fatet e tyre, fatet e Shqipërisë në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë, që sot janë të rrezikuara më shumë se kurrë nga një pakicë uzurpatore që ka shpopulluar vendin me mbi 1 milion shqiptarë, shumica e të cilëve janë të rinj dhe të reja”.

“Ndaj kësaj diktature, armike më të egër të rinisë, nevojitet një aksion i fuqishëm rinor për t’i shkurtuar ditët këtij regjimi”, u shpreh Blushi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb