Nga: ORNELA MANJANI*

TIRANE- Shoqatat e pronarëve kanë kundërshtuar projektligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Sipas tyre, drafti është antikushtetues dhe nuk ua kthen pronën. Kundërshtitë fokusohen në formulën që sugjeron qeveria dhe në përcaktimin e zërit kadastral mbi të cilin do të bëhet llogaritja e kompensimit, që është i vitit 1945, kur është marrë edhe prona. Në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e tetë shoqatave kanë sjellë argumentet kundër projektligjit. “Shkurtimisht po ju themi që nuk jemi dakord me këtë. Kërkojmë që, nga studimi që kemi bërë i projektligjit dhe i ligjit ekzistues 9238, po ju themi me kompetencë: ligji 9238 është njëqind mijë herë më i mirë se ky projektligj. Prandaj, në emër të të gjithë përfaqësuesve këtu, propozoj, siç kemi kërkuar gjithë kohën, që një përfaqësi e pronarëve e së bashku me juristë të ulemi bashkërisht në një komision të organizuar nga shteti. Të jetë një komision me juristë të vjetër, me njerëz që e njohin historikun e pronave, njerëz që njohin ligjet, dhe t’i vëmë përpara ligjin 9238, projektligjin që kemi paraqitur ne si shoqatë, ta krahasojmë me Kushtetutën dhe të shikojmë se cilat nga nenet janë në përputhje me Kushtetutë,; ai të vendoset në projektligjin e ri”, – tha profesor Stefanjaku.

Shoqata Pronësi me Drejtësi, Myrshit Vorpsi: Në këndvështrimin tonë, projektligji që serviret synon të zgjidhë dy probleme kryesore: problemi i parë është zgjidhja e asaj fature që është krijuar tashmë nga vendimmarrjet e derisotme, dhe problemi i dytë është çështja e 11.000 dosjeve. Kanë qenë 9.300, të pashqyrtuara akoma sot e kësaj dite, të depozituara që nga viti 2009. Sa i takon pjesës së parë, zgjidhja e hartuesve të këtij projektligji në pamundësi për të goditur vendimet e mëparshme, sepse janë të mbrojtura nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, synojnë që të lëvizin me vlerën e pronës që do të kompensohet. Dhe për këtë arsye, mendoj, që është zgjedhur pikërisht ndryshimi i nocionit ‘tokës truall’, duke klasifikuar ‘tokë truall’ atë sipërfaqe toke që ka qenë brenda vijave kufizuese në momentin e shpronësimit të tokës, pra në vitin 1945. Gjatë kësaj periudhe ne kemi kërkuar në vazhdimësi, edhe nga qeveria e kaluar, por edhe nga ju, që të bëhet publik ai detyrimi i derisotshëm që shteti shqiptar ka kundrejt pronarëve shqiptarë. Shpërndarja e fondit për kompensimin e pronarëve, që ka filluar në vitin 2005, gjatë gjithë këtij harku kohor janë shpërndarë 4.5 miliardë lekë të reja dhe janë kompensuar vetëm 14.5 hektarë tokë. Kjo sipas shifrave tona, ndërsa AKKP-ja pretendon për 16 hektarë, por pak rëndësi ka kjo. Prandaj, duhet kjo shifër, por deklarimi i detyrimit të derisotshëm duhet edhe për një arsye tjetër: AKKP-ja deklaron se janë 26 mijë vendime të cilat kanë detyrimin për kompensimin e shtetit shqiptar. Duhet t’ju them që, kur është dhënë vendimi i parë i Gjykatës së Strasburgut, me çështjen ‘Beqiri e të tjerë kundër Shqipërisë’, deri në vendimin e fundit ‘Sharra e të tjerë kundër Shqipërisë’, Gjykata e Strasburgut ka bërë ekzekutimin e 40 vendimeve të AKKP-së, ndoshta jo totalisht, por pjesërisht. Dhe për këto 40 vendime që janë dhënë për një periudhë 15-16 vjeçare, detyrimi i shtetit shqiptar bashkë me këtë shifrën e fundit fare është apo ka qenë 26.6 milionë euro. Njëkohësisht, po sipas AKKP-së, sipërfaqja e tokave bujqësore që sipas këtyre vendimeve të komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave duhej t’u kompensohej pronarëve shqiptarë, ka qenë në nivelin e 50 mijë hektarëve tokë bujqësore. Këto dy shifra, fatkeqësisht, politika si ajo e djeshme, por dhe kjo e sotme, nuk i bën publike. Dhe ky projektligj pikërisht këtë merr përsipër që të bëjë korrigjimin e kësaj. Dhe lëvizja është e thjeshtë fare: në qoftë se do të quajmë ‘tokë truall’ atë sipërfaqe që ka qenë brenda vijave kufizuese në momentin e shpronësimit, kjo do të thotë që ne do të kontrollojmë vijën e verdhë të qyteteve në vitin 1945, dhe nëse do t’i referohemi kësaj që ka hartuar AKKP-ja dhe ligjvënësi me këtë projektligj, atëherë i bie që minimalisht nga kjo faturë prej 10 mijë hektarësh, diçka më tepër se 8 mijë hektarë tokë truall do të kompensohet si ‘tokë bujqësore’. Megjithëse, legjislacioni i ligjit 7698 i vitit 1993, qoftë ai i ligjit 9245 i vitit 2004, kanë parashikuar që ‘tokë truall’ të quajnë atë sipërfaqe që ndodhet brenda vijave kufizuese të qendrave të banuara në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Pra ajo sipërfaqe toke që ka qenë brenda vijave kufizuese në vitin 2004 është klasifikuar si ‘tokë truall’, dhe si e tillë do të dëmshpërblehet dhe do t’u kompensohet pronarëve. Dhe momenti i dytë, të cilin merr përsipër ky projektligj ta sqarojë, është ai i 11 mijë dosjeve të pashqyrtuara akoma. Nëse kemi parasysh që kemi 26 mijë dosje për të cilat ka një vendim përfundimtar për kompensim, nuk dimë se ç’do të na sjellin brenda tyre këto 11 mijë dosjet e tjera, pasi brenda një dosjeje mund të ketë disa dosje. Pronarët që kanë depozituar pranë AKKP-së, kanë kërkuar që t’u kthehet prona, sepse e tillë është dhe natyra e ligjit 9235, ku në pikën ‘b’ të objektit të këtij ligji thuhet: kthimin e pronës dhe aty ku është e pamundur kompensimin e saj. Pronarët kanë kërkuar që, këto dosje që nuk kanë ngelur të pashqyrtuara për fajin e tyre, por për fajin e qeverisë, të trajtohen sipas atij ligji që ka qenë në fuqi në atë moment. Kthimi i pronës është një e drejtë e fituar, dhe kompensimi është krejtësisht një gjë tjetër. Pronarët e pronës e kanë fituar të drejtën për t’ua kthyer pronën, pse po ia hiqni? Nuk zgjidhet problemi duke hequr kthimin e pronës. Nuk e di. Është si të kalosh ylberin: t’u thuash pronarëve shqiptarë që, megjithëse u masakruan nga Ligji 7501, nga ligji i legalizimeve, “do t’ju heqim dhe kthimin e pronës”. Nuk mendoj që kjo qeveri dhe ky parlament duhet të shkojë deri këtu. Mund të ishte i arsyeshëm që një parlament si ai i ’45-ës ta merrte një vendim të tillë, por jo që këtë ta marrë një parlament në vitin 2015. Sinqerisht e ndjej veten keq. Është jashtë konceptit të ndahen 560 mijë hektarë tokë me Ligjin 7501, dhe përfituesit e tij të mos paguajnë asnjë qindarkë për atë sipërfaqe toke që kanë marrë, aq më keq me ligjin e legalizimeve.
Përfaqësues të shoqatës “Borshi”: Nuk jemi dakord me projektligjin në tërësi. Nuk e zgjidh problemin e pronës dhe krijon probleme të tjera. Kërkojmë të paraqitet një projektligj tjetër. Ky projektligj nuk kthen fizikisht pronën siç ne e kërkojmë. Në shumë pika të tij bien në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës. Të bëhet ligj i ri ku të jenë prezentë ekspertët tanë në bërjen e tij. U premtua shumë nga kjo qeveri, kishim shpresë, dhe u përfundua te ky projektligj, që ne nuk jemi dakord.
Shoqata “Bregdeti”, Jorgo Dhrami: Kemi qenë, jemi dhe do të jemi deri sa të vdesim kundër Ligjit fashist 7501. Nëpërmjet këtij ligji famëkeq iu rrëmbye toka pronarit të ligjshëm dhe kjo histori ka që nga momenti kur ky ligj është në fuqi. Ne e kemi bërë problem ndërkombëtar. Çfarëdo ligji të dalë, pa u abroguar ky ligj, toka nuk shkon te i zoti, ashtu si e përmban sistemi kapitalist, e drejta në tërësi, ashtu si e ka bekuar dhe Zoti. Ne humbëm gjithçka, dhe kjo gjithçka u mor nga ata që nuk kishin prona, u bënë të pasur, bëjnë vila, fshatra turistike, tregti me tokat tona, dhe ne kemi mbetur të punësuar te ata. Ky është një krim mizor.

Shoqata e të Burgosurve për Integrim dhe Drejtësi, Tanush Mulleti: 11 vjet më parë, po në këtë sallë ka qenë një Rusmali, që na shpiku një ligj që prodhoi 8600 të vrarë. Asnjë vend në botë nuk e ka një ligj të tillë. Ky është një ligj vrasës. Nuk jua njeh njeri këtë ligj. Jua rrëzon Evropa. Ju jeni duke hequr pronat e jetimëve. Do t’ju mallkojnë jetimët. Turp e faqja e zezë! Po diskretitoni veten. Ku e keni shtetin e së drejtës?!

Shoqata “Dukati”, Lane Borshi: Të gjithë vendet lindore e kanë kthyer tokën sipas nenit të kooperativave bujqësore, atë që kishte futur në kooperativë e mori. Në Gjermani, Bullgari, Rumani, pas shpërbërjes së kooperativave, pronarët kanë marrë mbrapsht atë që u është marrë. Kushtetuta e ’91-shit shfuqizoi Kushtetutën e ’76-ës, pra na ktheu në ’46-ën; nuk është më shteti pronar. Ku e gjen më pas të drejtën shteti që me Ligjin 7501 t’u japë tokën fshatarëve? Me Ligjin 7501 janë krijuar problem të mëdha, të korrigjohet Ligji 7501. Deri në ’91-shin ishte lufta e klasave, tani është lufta e pronave. Të veprohet si me kooperativat lindore.

Shoqata Kombëtare e Pronarëve Legjitimë, Ferdinand Sulaj: Kini kurajën t’ia ktheni qeverisë këtë projektligj të gabuar. Qeveria tha, ‘ka bashkëpunuar me KiE dhe BB’. Morëm konfirmimin nga KiE se nuk ka bashkëpunuar në këtë projektligj. Projektligji i qeverisë nuk përmend kthimin e pronës, por fut konceptin e kompensimit që konteston nenin 41 të Kushtetutës. Ky projektligj vendos në dispozicion rreth 350 milionë euro, për të cilat shteti pretendon të mbyllë një krim të komunizmit.
Krahina Jonë, Axhem Ymeraj: Nuk jemi dakord me projektligjin, se bëhet fjalë për kompensim dhe jo kthim. Cenohet siguria juridike. E keqja fillon me Ligjin 7501, por nuk mund të vazhdoni të bëni një ligj më keq se ai. Me këtë projektligj shtetëzohen dhe kullotat, bëhen toka me djallëzi që të bëhen pjesë e ligjit të ri. Por duhet të dini zotërinj, se janë 2200 familje dukatase dhe çdo familje ka 2 apo 3 burra, pra bëhen 5 mijë burra. Nëse këta njerëz marrin vesh që për të mbajtur dhi në tokat e Dukatit duhet të paguajnë për kullotat që deri dje ishin pronarë dhe sot i merr shteti, do ndodhemi para një të papriture. Kur shkon thika në kockë, askush nuk mund ta kontrollojë veten.
Kryetari i shoqatës së pronarëve të 13 fshatrave të Myzeqesë së Vlorës, Semanjaku: Nuk jam dakord me këtë projektligj, pasi ky ka grabitur pronat. Projektligji, që në nenin e parë na quan si subjekte të shpronësuara, jo pronarë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: