Me rastin e 80-vjetorit të lindjes të artistit të madh shqiptar Bekim Fehmiu kryeministri Edi Rama dhe kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç kanë dhënë një deklaratë të përbashkët ku përveçse kanë vlerësuar figurën e tij, kanë dhënë edhe një mesazh.

Ata shprehen se Bekim Fehmiu ka lënë një gjurmë të pashlyer mes shqiptarëve dhe serbëve dhe se jeta e tij është dëshmi për komunikimin mes njeri-tjetrit për ndërtimin e së ardhmes.

“Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, dëshirojmë të  shprehim konsideratën tonë të lartë për veprën e një artisti dhe humanisti të madh, Bekim Fehmiut.
Bekim Fehmiu ka lënë një gjurmë të pashlyer mes shqiptarëve dhe serbëve. Jeta dhe arti i tij dëshmon se ne mund të komunikojmë, të kuptohemi e të mësojmë nga njëri-tjetri, se mund të gjejmë lumturi në bashkëjetesë e kështu të ndërtojmë një të ardhme të begatë për brezat që do të vijnë. Bekim Fehmiu qëndron sot përpara nesh si dëshmitar i një fakti të pamohueshëm se cilindo rrugëtim të jetës të zgjedhim për të qenë bashkë, ajo rrugë do të jetë veçse pasuri për ne, shqiptarë dhe serbë. Aleksandar Vučić dhe Edi Rama”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb