Bashkia Poliçan ndalon hyrjen në qytet të personave që vijnë nga jashtë apo nga qytetet e tjera

Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, Bashkia e Poliçanit ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme. Me një vendim të Këshillit Bashkiak dhe në bashkëpunim edhe me bashkinë e Skraparit,në hyrje të qytetit të Poliçanit është ngritur një postobllok në të cilin filtrohet çdo person që hyn në qytet.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se cdo person që kalon në këtë postobllok, qoftë edhe ish/banorë të Poliçanit e Skraparit, në qoftë se rezultojnë se kanë ardhur nga jashtë apo nga Tirana,nuk lejohen të jetojnë në Poliçan apo të ikin në Skrapar,deri sa të kalojë pandemia e koronavirusit.

Kryebashkiaku i Poliçanit Adriatik Zotkaj ka deklaruar se në këtë situatë të rënduar pandemie nga frika e përhapjes së koronavirusit, qyteti i Poliçanit është më i rrezikuari sepse ka një kontigjent të tillë banorësh që kanë punuar prej 30-vjetësh në Kombinatin e Armëve dhe vuajnë nga mushkëritë e sëmundjet profesionale.

“Janë 800 familje që rrezikojnë jetën nga momenti nê moment sepse janë shumë të sëmurë nga mushkëritë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme ne si bashki morëm dhe masa të jashtëzakonshme”- tha Zotkaj.

Sipas Zotkaj,duke parë rrezikun që i kanoset qytetit nga virusi Civid-19, në Poliçan nuk do të lejohen të hyjnë persona që kthehen nga jashtë, nga Tirana apo nga qytetet e tjera, qofshin këta edhe ish/banorë të Poliçanit.

Kryebashkiaku i Poliçanit Adriatik Zotkaj, ka deklaruar se edhe pse ky vendim nuk është pëlqyer nga Drejtoria Vendore e Policisë,që sipas tij, në Poliçan nuk ka as mjete, as postoblloqe e as efektivë të mjaftueshëm në Postën e Policisë, bashkia nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj, deri në përballimin e kësaj situate të rënduar pandemie botërore.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb