Lorenc Trashi, futbollisti i Partizanit, ishte në konferencë për shtyp sot në lidhje me ndeshjen e dytë që të kuqtë do të luajnë kundër Kamzës.

26-vjeçari u shpreh se skuadra e ka lënë pas humbjen me Skënderbeun dhe do të kërkojë 3 pikët në këtë transfertë. Mëngjarashi gjithashtu pohoi se ky mund të jetë viti i duhur pasi problemet e sezonit të kaluar nuk ekzistojnë më.

4 ndeshje pa tifozë, sa mendoni se do të ndikojë te loja juaj?

Mungesa e tifozëve për çdo ekip është shumë e rëndë. Tifozët janë një plus për çdo ekip. Është një vendim që është marrë nga Federata dhe unë nuk mund ta gjykoj dot. S’mund të jap një mendim tjetër.

Si është morali në skuadër?

Vijmë nga një ndeshje shumë e vështirë, nga një humbje me Skënderbeun. Ajo ndeshje ka kaluar dhe ne e kemi harruar. S’duhet te mendojmë më për ndeshjen me Skënderbeun. Tani duhet të mendojmë për Kamzën, e kemi studiuar, në ndeshjen ndaj Tiranës. Ka bërë një lojë shumë të mirë. Duhet të japim më të mirën tonë që të marrim tre pikët.

Sa të qetë jeni në skuadër, pas problemeve të vjetshme?

Kanë kaluar problemet e vjetshme. Është futur një frymë tjetër në skuadër, janë ndarë disa gjëra, kush do jetë kapiteni, kush do të jetë zëvendëskapiteni. I kemi zgjedhur vetë ne lojtarët dhe është diçka e mirë. Nuk ka përplasje nuk ka hatërmbetje, jemi të qetë.

Çfarë ka ndryshuar te Partizani me ardhjen e Gegës?

Jam shprehur se ky ekip, ndryshe nga sezonet e kaluara, është më shumë pa bujë. Besoj ky do të jetë çelësi i suksesit. Do kemi rezultate pozitive. Të gjithë trajnerët kanë taktikat e tyre. Nuk mund të jap një mendim.

Pozicioni?

Unë luaj aty ku mendon trajneri, aty ku ka nevojë ekipi.

Cila është gjendja e skuadrës ?

Çdo ekip në fillim ka probleme, ndeshjet e para studiohen kundërshtarët. Ndeshjet në vazhdim do tregojnë forcën e ekipit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb