Analisti dhe pedagogu i njohur Agron Gjekmarkaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për 85-vjetorin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, deklaroi se ai është figura më emblematike e letërsisë shqiptare.

“Kam bërë shkrim për shkrimtarin tonë më të njohur dhe kam marrë shumë mesazhe.  Kush ishte Ismail Kadare, e kam kuptuar kur studioja në Itali. Kadare, figura më emblematike e letërsisë shqiptare. Kadare ka shkruar në dy epoka, shkroi letërsi europiane edhe në atë kohë, mes frikës dhe ankthit, mes një trysnie të madhe ideologjike.

Kadare ka modernizuar lexuesin. Ka kryer funksion emancipues në disa drejtime. Është përkthyer në 40 gjuhë, nuk e ka marrë Nobelin, sepse jemi vend i vogël. Kjo nuk është e rëndësishme, sepse nuk e ka marrë Tolstoi, nuk e kanë marrë shumë autorë të njohur”, tha Gjekmarkaj.

Agron Gjekmarkaj nënvizon se emri i Kadaresë është i lidhur pazgjidhmërisht me kulturën europiane, duke shtuar se pa të, populli shqiptar do ishte më i dobët kulturalisht.

Ne e dimë se ka pasur shkrimtar e poet që janë burgosur. Mendo nëse Kadare do kishte këtë fat. Nëse kjo do ndodhte, do të kishim kulturën më të dobët. Kadare ka shkruar një letërsi shumë europiane. Pa Kadarenë do ishim më të varfër kulturalisht. E shoh si të lidhur me kulturën europiane”, u shpreh Gjekmarkaj.

Duke folur për programin ekonomik të PD-së, Gjekmarkaj vlerësoi se është totalisht i mundur të realizohet. Për Gjekmakajn, “Shqipëria fiton” është slogani i duhur, për shkak se me ikjen e Ramës, vërtetë që vendi ynë është fituesi i madh.

Slogani i PD-së më pëlqeu. Shqipëria fiton në çdo rast, nëse Rama ikën. Është pa kuptim që Rama të fitonte mandat të tretë, sepse nuk ka bilanc. “Shqipëria fiton” është slogan i gjetur i PD-së. Basha është i vetmi person që mund të bëhet kryeministër. Basha njihet si njeri normal si gjithë ne të tjerët, nuk është arrogancë, komunikon shkëlqyer.

Programi ekonomik reflekton nevojat themelore për ndryshim. Mendoj se programi është i aplikueshëm. Mendoj se PD është fokusuar tek ekonomia, sepse një njeëri me ekonomi të mirë është edhe qytetar më i denjë. Rama ka dështuar totalisht në çdo aspekt. Shqipëria fiton, nëse ikën Rama”, tha Gjekmarkaj.

Në fund, Gjekmarkaj foli për votën e emigrantëve, duke theksuar se nëse votojnë, do të duhet që vota e tyre të jetë e sigurt.

Opozita nuk pengon asnjë votë emigranti. Kjo është propagandë, për shkak se opozita nuk ka asnjë gjë në dorë. Për votën e emigrantëve kanë folur edhe PS edhe PD, por Partia Demokratike ka qenë më e zëshme. Nëse votojnë emigrantët, duhet të votojnë në mënyrë të sigurt. Nëse emigrantët nuk votojnë të sigurt, më mirë do ishte mos të votojnë. Vetëm vota e sigurt është e rëndësishme për demokracinë”, përmbylli Gjekmarkaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb