SARANDE – Fëmija 9-vjeçar nga Palasa, emri i të cilit doli në dritë pas vrasjes së 12- vjeçarit Jorgo Zani, është dërguar në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. 9-vjeçari K.Konomi u përmend nga banorët, për shoqërinë me 30-vjeçarin Jorgo Zani, i cili me sa duket e përdorte të miturin për veprat e tij kriminale.

9-vjeçari me probleme të shëndetit mendor dhe me prindër që vuajnë nga e njëjta sëmundje, ishte tepër problematik në fshat dhe ishte kthyer në një problem serioz për banorët e tij, pasi vidhte e dëmtonte shtëpitë e tyre.

Gazetarja e “News24” shkoi sot në shtëpinë e fëmijës, ku takoi edhe 9-vjeçarin, i cili siç thanë edhe vetë drejtuesit e institucionit, nuk fliste dhe nuk ishte i shoqërueshëm. Me të paktat fjalë që tha, K.Konomi pranoi vetëm se ishte hera e parë që largohej nga shtëpia dhe se në shkollë nuk kishte shkuar asnjëherë.

Ndërkohë personeli i shtëpisë së fëmijës e mban atë nën vëzhgim dhe thonë se deri tani ka qenë i qetë dhe nuk ka shkaktuar asnjë problem. Ndërkohë që sipas policisë, ditën e ngjarjes së rëndë në Palasë 9-vjeçari nuk ndodhej në fshat por tek të afërmit e tij në Tiranë.

Megjithatë përmendja e emrit të tij në sfondin e këtij krimi makabër, e detyroi shtetin ta dërgojë në shtëpinë e fëmijës në Sarandë, e cila gjithsesi nuk është një institucion ku mund të trajtohen njerëzit me probleme të shëndetit mendor.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb