Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” është rikthyer këtë të premte me historinë e Lorencit. 9 vjecari vuan nga tumori në kokë. Djali jeton me familjen në fshatin e largët Larushë të Këlcyrës. Familja e varfër mban në kurriz një barrë të rëndë. Tumori iu shfaq në moshën 5 vjeçare. Pavarësisht ndërhyrjes dhe kurimeve, gjendja e Lorencit nuk u përmirësua asnjë ditë. Përkundrazi. Në tetor të vitit të kaluar, 9-vjeçari hyri sërish në operim. Por sot tumori po i merr shikimin. Pas 5 vitesh vuajtje, dhimbjet ende e zgjojnë Lorencin nga gjumi.

I dhemb koka, nuk ka fuqi, madje as në shkollë nuk ka mundur dot të shkojë. I vetmi vend ku shkon ky fëmijë, është spitali Pediatrik në Tiranë. Mjekët i thanë familjes Pashollari se djalit i duhej një ndërhyrje e specializuar, por jashtë shtetit. Gjithë trajtimi mjekësor kushton 60.000 euro. Elvis Naci shpërndau thirrjen gjatë emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” duke mbledhur nga donatorët shumën e kërkuar. Lorenci do të operohet tek spitali “Bambino Jesu” në Itali ku janë kuruar edhe shumë fëmijë të tjerë, personazhe të emisionit.

Gazetarja e emisionit Voltiza Duro së bashku me stafin udhëtuan sërish në fshatin Larushë për të marrë Lorencin. Në shtëpinë e tij gjejnë fqinjët dhe miqtë e familjes të cilët i urojnë shërim të shpejtë vogëlushit. Motra e madhe e Lorencit shprehet se është shpresëplotë që vëllai i saj i vogël do të shërohet ndërsa binjakja Lorena e merr me të mira duke i thënë që mos të mërzitet dhe se tek spitali ku do të shkojë në Itali do të takojë edhe fëmijët e tjerë si Bonën, Deanin apo Ezelin. Do të jenë si një familje e madhe. Nuk mungojnë përqafimet dhe lotët. Motrat i japin kurajo vëllait të tyre se gjithçka do të shkojë mirë kur të jetë larg tyre. Ndarja mes tyre është emocionuese E ëma, Nevila i përgatit valixhen dhe bashkë me stafin udhëtojnë për në Tiranë. Destinacioni është spitali Continental. Lorenci iu nënshtrua disa ekzaminimeve dhe analizave, mjekët u siguruan se djali është në gjendje të përballojë udhëtimin dhe se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Mjekja i jep lajmin nënës së tij se djali është në gjendje të qëndrueshme për të udhëtuar.

Të nesërmen Lorenci dhe nëna e tij Nevila nisen për në Rinas. Në aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës i pret babai, ai ka udhëtuar gjithë natën nga Këlcyra për të përcjellë djalin. Prindërit falënderojnë emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” dhe Elvis Naçin i cili thonë i dha djalit të tyre një biletë shpëtimi dhe shprese. Kjo është jeta e dytë për Lorencin thonë pasi për 5 vite resht ata nuk kishin asnjë fije shpresë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: