TIRANE – Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, inspektoi dje Zyrat e Kujdesit ndaj Klientit, ku paguhet fatura e dritave dhe ofrohet shërbimi ndaj abonentëve. Duke marrë shkas nga flukset e ditëve të fundit të muajit shkurt, administratori ftoi mediat të shikonin nga afër situatën në sportelet e OSHEE-së, ku dha prononcimin e rastit. “Siç e shikoni dhe vetë, pasi keni qenë dëshmitarë të radhëve pa fund për të paguar dritat dhe lidhur aktmarrëveshje me OSHEE-në për pagesat me këste, si pasojë e afrimit të skadimit të datës 28 shkurt, sot që flasim situata duket e normalizuar. Të dhënat për muajin shkurt flasin për një numër aktmarrëveshjes në rreth 110 mijë, shifër kjo rekord. Kompania mori masa për ta shtyrë afatin deri më 31 mars, për t’u dhënë mundësi të gjithë atyre që nuk e menaxhuan si duhet kohën.
Por sot dua të ndalem pikërisht te ky afat, te data 31 mars, e cila do të jetë e fundit. Konstatoj një normalizim të fluksit, të numrit të aktmarrëveshjeve, diku te 2000 kontrata në ditë, nga 9000 që ishte në ditët e fundit të shkurtit. Afat tjetër nuk ka, prandaj askush të mos e lërë në ditën e fundit të hyjë në marrëveshje me OSHEE-në për pagesat me këste dhe ulje me 80% të kamatës”, – deklaroi administratori Çela.

Në ditët e para të muajit mars janë lidhur rreth 6000 aktmarrëveshje mes debitorëve dhe OSHEE-së, numër ky që pritet të rritet. Sakaq, kreu i OSHEE-së u kujtoi bizneseve të bëhen pjesë e fushatës së re, për të paguar me këste detyrimet që kanë ndaj kompanisë. Deri më tani janë lidhur 300 aktmarrëveshje.
MARREVESHJET ME BIZNESIN
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur në muajin mars procesin e lidhjes së aktmarrëveshjeve me bizneset debitore, për shlyerjen e detyrimeve me këste. Këstet dhe afatet ndryshojnë në varësi të linjës së tensionit me të cilin biznesi është lidhur, duke nisur nga Tensioni i Mesëm, 35 kv, deri te Tensioni i Ulët, 04 kv. Deri më tani nuk ka pasur një skemë të tillë lehtësuese për biznesin, prandaj OSHEE-ja beson se pagesa me këste të detyrimeve është një marrëdhënie e re që kompania vendos me klientin privat. Në total janë rreth 90 mijë kontrata debitore ndaj OSHEE-së nga subjekte private, me vlerë rreth 14 miliardë lekë, ku afro 85 mijë kontrata janë të subjekteve që furnizohen në linjën Tension i Ulët. Deri tani, kur nisi procesi më 2 mars, bizneset kanë lidhur marrëveshje të pagesës me këste në OSHEE për 300 kontrata. OSHEE thekson se për të përballuar fluksin në sportele ka lidhur kontrata me operatorë të tjerë për shërbimin e pagesës së faturave. Aktualisht, pagesat më këste të bizneseve mund të bëhen si në sportelet e OSHEE-së, ashtu edhe në pikat e transfertave të parave, bankat apo në Postë. Pra, përveç pagesës normale të faturës së dritave, subjektet mund t’u drejtohen edhe pikave të tjera alternative, të cilat pritet të zgjerohen.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: