Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani paraqiti sot misionin e këtij institucioni të ri kushtetues dhe bër transparencë mbi veprimet e para të marra pas nisjes së detyrës në krye të ILD. Ai tha se ky institucion është totalisht i pavarur nga pushteti ekzekutiv, KLP dhe KLGJ dhe kjo i jep një dimension tjetër profilit të inspektimit.

ILD ka për objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

“Nuk ka pasur nga e kaluara as personel, asgjë, ndaj ky institucion po fillon të ngrihet nga e para. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i ndërgjegjshëm për volumin dhe problematikën e lartë të punës, po aq sa edhe pritshmëritë për të këtë institucion. Dua të siguroj opinionin publik se ILD ka gjithë vullnetin të përballet me të gjitha shkeljet që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit që cenojnë dhënien e drejtësisë dhe ushtrimin e funksionit në përputhje me ligjin.
Jam i ndërgjegjshëm se për shkak të mungesës së inspektimit për një kohë të gjatë mua dhe ILD-së na pret një volum dhe një problematikë e lartë pune ashtu siç janë dhe pritshmëritë. Konkretisht ILD-së do i kalojë një volum i madh ankesash, rreth 900, të cilat janë dorëzuar gjatë periudhës tranzitore, 2017-2020 pranë KLGJ ose Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu ILD nga data 1 shkurt 2020, datë e cila konsiderohet fillimi i veprimtarisë së këtij institucioni, kanë filluar të vijnë ankesat e para nga persona juridikë apo fizikë. Evidentimi i këtyre ankesave kërkon një analizë të plotë, me qëllim shqyrtimin paraprak për sa i përket kritereve të pranueshmërisë si dhe kryerjen e veprimeve shtesë nëse është e nevojshme apo fillimin disiplinor”, deklaroi kreu i ILD.

Ai foli për tej edhe pë ankesat nga Ministria e Drejtësisë, KLGJ dhe KLP për çështjen e lirimeve me kusht parakohe dhe tha se do jenë objekt i inspektimit.
Metani foli për një plan masash afatshkurtër për problematikat e konstatuara në raport me përmbushjen e detyrave profesionale të zyrës së ILD dhe identifikimin e çështjeve për të cilat kërkohet një inspektim tematik apo institucional. “Në të njëjtën kohë ILD krahas veprimeve të mësipërme, në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese por dhe duke mbajtur në konsideratë debatin dhe shqetësimin publik lidhur me një seri çështjesh por veçanërisht lidhur me vendimmarrjet lidhur me lirimin parakohe me kusht do t’i japë prioritet inspektimit në këtë drejtim”, deklaroi ai

Teksa u pyet nga gazetarja e ‘News24’ Klodiana Lala për lirimet nga burgu të të ashtuquajturve ‘të fortë’, pjesë e bandave kriminale, Metani nuk ka dashur që të komentojë me emra. Ai tha se tashmë prioritet i tij është hetimi në lidhje me këtë fenomen.

“Të shmangemi nga emrat. Rëndësi për mua ka fenomeni. Mund të ketë dhe emra që nuk janë publik. Më shqetëson fakti që ka disa gjykata që ka ndodhur ky fenomen dhe do të bëhet inspektimi se ku po ndodh ai. Më pas do bëjë publike rastet kur do ndërhyhet dhe si do ndryhet.”, tha ai.

Po ashtu Lala nuk ngurroi që të pyeste Metanin nëse e pengonte fakti që ai është vëllai i një ish-ministreje (Eglantina Gjermeni), ndërsa ai tha: “Unë vlerësoj që koha është treguesi më i mirë për gjithçka e gjyqtari më i mirë për të gjithë ne”.

Kreu i ILD-së u ngacmua dhe me një tjetër pyetje për faktin se sa e ‘zezë’ është drejtësia në vend.
“Në këtë numër ankesat duhet të evidentohet, se sa janë numri i ankesave për prokurorë dhe gjyqtarë. Sa janë brenda afateve dhe jo. Nëse drejtësia është e ‘zezë’ apo e ‘bardhë’ është në kuptimin politik të fjalës. Unë s’kam detyrë që të bëjë vlerësime, por të monitoroj çdo vendim gjykate dhe prokurorie, që të ushtroj detyrën time që më ka ngarkuar Kuvendi. Detyrat e mia janë të respektuara në Kushtetutë dhe në ligj. Vlerësimet personale janë gjera që si takojnë këtij institucioni. Unë do veproj të zbatoj detyrën, dhe këtë do ta bëj që sot. Prioritet për mua është fenomeni i lirimit para kohe nga burgu”, tha ai.

Metani tha më tej se është marrë me procedurat për ngritjen e institucionit dhe një strukture provizore dhe iu bëri thirrje juristëve magjistratë ose jo të aplikojnë për vendet vakante. “27 vende vakante, 6 inspektorë jo magjistratë dhe 5 ndihmës inspektorë. I bëj thirrje gjithë juristëve që kanë dëshirë të kontribuojnë për inst e reja të drejtësisë të aplikojnë. Do vlerësohen me objektivitetin maksimal”, deklaroi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb